Lajmet e fundit
Takim i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media me udhëheqjen e RTK-ës
E Mërkure, 18.02.2015
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Sadri Ferati, nënkryetar i Komisionit, kishte sot një takim me Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së, në të cilin u bisedua lidhur me punën dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion. Një pasqyrë gjithëpërfshirëse lidhur me këto sfida , para të pranishmëve e bëri kryetari i Bordit të RTK-ës, Ismet Bexheti. Për disa segmente të punës së RTK-ës folën edhe Mentor Shala e Rrahman Paçarrizi. Bexheti theksoi se në këtë institucion janë arritur rezultate të rëndësishme në zgjerimin e begatimin e skemës programore, duke e ilustruar këtë me faktin se brenda ditës nga ky medium publik emitohen 96 orë program, në katër kanale. Ai pastaj foli edhe për zhvillimin teknologjik të këtij mediumi, si dhe për kultivimin e profesionalizmit .
Në debatin që pasoi u tregua një interesim mjaft i gjerë i anëtarëve të Komisionit, diskutimet e të cilëve në të shumtën e herave shoqëroheshin me vërejtje e sugjerime, rreth skemës programore, pastaj tone kritike ndaj disa dobësive të ndryshme, sipas tyre, që vërehen në veprimtarinë e gjithmbarshme të RTK-ës. Më shumë përqendrohej vëmendja në çështjen e buxhetit, zbatimit konsekuent të ligjit, cilësisë së emisioneve, ndarjen sa më të mirë të mjeteve edhe për programet në gjuhët e komuniteteve, nepotizmin, çështjen e pronës së RTK-ës, të cilën ky medium ende nuk e ka zgjidhur, pastaj përfaqësimit më të mirë të femrës në këtë institucion, për të cilën madje thuhej se është e diskriminuar etj. U bënë shumë vërejtje se RTK-ja nuk ka transparencë të duhur, sidomos për publikimin e raporteve vjetore në WEB faqe. Megjithëse nga udhëheqja e RTK-ës theksohej se raportet vjetore të RTK-ës botohen në WEB faqe pasi të aprovohen nga ana e Kuvendit të Kosovës, përsëriteshin vërejtje se raportet mund të botohen edhe para se të aprovohen nga Kuvendi i Kosovës.
Takimi u përshkua nga shumë pyetje, përgjigje e kundërpërgjigje, sa që duhej më shumë kohë për t' u qartësuar të gjitha çështjet e diskutueshme.
Tërë këtë debat, në fjalën e tij përmbyllëse, e vlerësoi si të mirë, kryesuesi Sadri Ferati,duke premtuar se bashkëbisedime ndërmjet Komisionit dhe RTK-ës do të ketë në vazhdimësi dhe se të gjitha angazhimet e folësve ecnin drejt trasimit sa më të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe zhvillimit sa më të mirë të veprimtarisë së RTK-ës.