Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Mërkure, 18.02.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u shqyrtuan propozimet për emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas kërkesës së Komisionit, ka sjellë në komision 285 emra të gjyqtarëve dhe sipas KGJK-së për asnjë nga të propozuarit nuk ka procedura gjyqësore.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit, Armend Berisha, Nehat Idrizi, si dhe Gjimshit Galjushi, morën mbështetjen e anëtarëve të komisionit për procedim në Kuvend. Këta emra u propozuan nga anëtarja e komisionit Selvije Halimi, si dhe anëtari Danush Ademi.

Tutje, anëtarë të Komisionit formuan dy grupe pune lidhur me Projektligjin nr. 05/L-03 për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht, si dhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimit të funksionit publik.
Ndërkaq, sa i përket kërkesës së Agjensionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, u konstatua se kjo çështje duhet t'i drejtohet Komisionit për Bujqësi.

Komisioni më tej shqyrtoi dhe përkrahu propozimin e Fakultetit Juridik për emërimin e anëtarit Rexhep Gashi në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Krejtësisht në fund, komisioni diskutoi lidhur me vizitën e tyre në burgun e Dubravës. Ata u dakorduan që këtë vizitë ta zhvillojnë gjatë ditës së premte (më 20 shkurt).

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion...