Lajmet e fundit
Kuvendi shënoi shtatëvjetorin e Pavarësisë
E Marte, 17.02.2015
Pasi i ka përshëndetur deputetët, qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe drejtuesit e lartë shtetëror të vendit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Vseli, u ka uruar mirëseardhje ambasadores së SHBA-ve,znj.Xhekobson, ambasadorëve të tjerë të vendeve mike, Nderin e Kombit, z. Adem Demaçi, ish presidentët e Shqipërisë z. Mejdani dhe z. Mojsiu, familje të dëshmorëve, kryetar të komunave, përfaqësues të mediave dhe ish deputetët.
"Dita e Pavarësisë së Kosovës ka dimensione të shumëfishta. Ajo është një ditë e përkujtimit, për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, që në kohë të ndryshme; në rrethana të ndryshme, vende të ndryshme dhe mënyra të ndryshme, punuan për këtë ditë të madhe.", ka theksuar kryeparlamentari Veseli, duke pohuar se ata dhanë gjithçka nga vetja e tyre : jetën dhe mundin; dijen dhe pasurinë; u vranë në beteja dhe u shkatërruan burgjeve; përjetuan dëbimin dhe persekutimin, vetëm dhe vetëm që dita e Lirisë dhe Pavarësisë të zbardhë mbi qiellin e Kosovës. "Lavdi dhe nderim të përjetshëm Grave dhe Burrave të Kosovës, që e bënë të mundur këtë Ditë të Madhe!", ka uruar Veseli.
Ai, ndërkaq, ka theksuar se 17 shkurtin duhet ta përjetojmë edhe si një ditë të madhe të nderimit, për miqtë tanë ndërkombëtar- miqtë e Lirisë sonë.
"Ata ishin bashkë me ne në rrugën tonë të lirisë dhe pavarësisë", ka thënë Veseli, duke pohuar faktin se në vitet e vështira të rezistencës paqësore, kur bota po hynte në trazirat e postkomunizmit: ata na i hapën dyert;e dëgjuan zërin e një populli të shtypur dhe na ndihmuan që ky zë të bëhej edhe më i fuqishëm".
Veseli, duke e përkujtuar 5 marsin e vitit 1998 , theksoi faktin që " kur në Prekazin e Adem Jasharit, nisi kryengritja e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, e pranuan të vërtetën e madhe se kjo kryengritje në themel të saj kishte vetëm një ideal: Lirinë - vlerën më të madhe të civilizimit perëndimor".
"Kosova u përgjak, ndodhi dëbimi, masakrat, ndodhi Reçaku, por ne nuk u thyem. Si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATOs në pranverën e vitit 1999", theksoi kreu i Kuvendit, duke pohuar se atëkohë Bota dhe Kosova po përjetonte një ngjarje madhështore në historinë e njerëzimit.
Veseli në fjalën e tij, në këtë seancë solemne, ka shprehur respekt dhe nderim të përjetshëm, për të gjithë ata liderë politik të botës perëndimore, nga Uashingtoni në Berlin; për të gjithë ata gjeneralë dhe ushtarë të Aleancës Veriatlantike; për të gjithë ata gazetarë e intelektual të botës që u rreshtuan në krah të Kosovës, në ditët e saj më të vështira.
"Ata e ndihmuan lirinë e saj dhe bërjen e saj shtet. Kosova do tu jetë mirënjohëse përjetë.", ka thënë Veseli.
Duke rezymuar rezultatet e Kosovës në këtë shtat-vjetorë të Pavarësisë , Veseli ka pohuar se janë konsoliduar hallkat bazike të shtetësisë, se zhvillimi demokratik i institucioneve ka ecur përpara, se vendi gëzon një stabilitet të qëndrueshëm makro-ekonomik dhe se rritja ekonomike ka ritme pozitive. Ai tutje ka spikatur se nuk ka vend për vetëmburrje, duke tërhequr vëmendjen se projekti i shtetformimit vazhdon të përballet me sfida të mëdha. "Ndonëse kemi arritur një numër prej 108 njohjesh nga shtetet anë e kënd botës, jemi bërë pjesë e një numri mekanizmash ndërkombëtar, na mbetet ende punë e madhe për të përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës" ka thënë Veseli, duke përmendur pengesat e mëdha në këtë drejtim, por edhe mbështetjen e madhe nga miqtë tanë ndërkombëtar në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. "Ne duhet të vazhdojmë të punojmë në partneritet të thellë me ta. Vetëm përmes këtij partneriteti mund të ecim përpara.", është shprehur i bindur Veseli, duke e përmendur edhe dialogun me Serbinë, të mbështetur nga Uashingtoni dhe Brukseli. "Dialogu për ne është nevojë, standard, partneritet dhe instrumenti më i mirë për të fituar paqen. Kosova do të dalë e fituar nga ky dialog." , është shprehur optimist Veseli. Ai ka folur edhe për sfidat e tjera si, sundimin e ligjit, nga realizimi ose jo i të cilit synim varet ardhmëria e vendit tonë dhe besimi i qytetarëve, duke apeluar: "Ta bëjmë sundimin e ligjit Moralin Tonë, Nderin Tonë, Patriotizmin Tonë! Le tu tregojmë atyre që na ndihmuan se ne e merituam përkrahjen e tyre!.Le tu tregojmë atyre që ende nuk na kanë njohur se ne e meritojmë njohjen e tyre!Le tu tregojmë gjeneratave që do të vijnë se ne e bëmë Kosovën shembull të zhvillimit, paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës, pa dallime etnike dhe fetare."
Duke e vlerësuar shtetformimin e Kosovës storie të suksesit, kreu i Kuvendit ka shprehur bindjen e tij se lajmet negative që herë pas here dëgjohen nuk mund të rrëzojnë këtë fakt, e duke u zotuar se Kosova kurrë nuk ka qenë e as nuk do të jetë vend që gjeneron ekstremizëm.
Duke iu referuar, ndërkaq, emigrimeve ilegale, Veseli ka theksuar se Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të lejojmë të bëhet vend i shpresave të humbura për qytetarët e saj. "Qëndrimi në atdhe është shpirti ynë, jo ikja prej tij. Ndryshimi në atdhe është detyra jonë e përbashkët", ka theksuar Veseli, duke u uruar Ditën e Pavarësisë, me dëshirën që Kosovën ta bëjmë ashtu siç e deshën paraardhësit tanë dhe si e duan pasardhësit tanë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në fjalën e tij të rastit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në shtatë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, pasi i ka përshëndetur krerët e institucioneve të vendit dhe përfaqësuesit institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë,, ka theksuar: "17 shkurti i vitit 2008, është akti më madhështor i historisë së vendit tonë, është çasti më sublim i gjithë historisë së Kosovës. Kjo datë madhore, është kufiri kohor që ndan historinë e re të Kosovës nga e shkuara e saj tragjike.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është rezultat i punës, i angazhimit , i dijes dhe i luftës së pandërprerë të popullit të Kosovës për realizimin e së drejtës më themelore të secilit popull, lirisë dhe mëvetësisë së tij. "
Ai tutje ka përkujtuar se populli ynë është dashur të vuajë e të sakrifikojë shumë për të arritur ditën e shumëpritur të saj, Ditën e Pavarësisë." Ndaj, si gjithmonë, është momenti që t'i kujtojmë me nderim baballarët tanë, nënat, vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat më të mira të këtij vendi, të cilët, në vite dhe në rrethana të ndryshme, u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.", ka thënë Mustafa. Ai, më këtë rast, në mënyrë të veçantë ka përkujtuar Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, komandantin e UÇK-së Adem Jashari, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të gjithë ata që me vullnetin dhe përkushtimin e tyre punuan dhe u flijuan për të ardhmen e këtij vendi.
"Edhe në këtë përvjetor, shprehim falënderimet më të sinqerta të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe për të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s, të cilat dhanë ndihmën e tyre vendimtare për çlirimin e vendit tonë.",ka theksuar Mustafa, duke shprehur zotimin se Republika e Kosovës do t'u jetë përherë mirënjohëse këtyre vendeve, të cilat, faktikisht, e shpëtuan popullin e Kosovës nga gjenocidi, duke na mundësuar neve, po edhe mbarë rajonit, të nisim një epokë të re në marrëdhëniet e ndërsjella, të nisim epokën e integrimit në familjen e madhe të vendeve të lira e demokratike euroatlantike.
Ai ka falënderuar edhe Shqipërinë dhe qytetarët e saj si dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc, "për përkrahjen e madhe që na dhanë në ditët më të vështira që përjetuam në mbarim të fundshekullit të kaluar.", duke përkujtuar se sot me Shqipërinë po integrohemi në fusha të ndryshme.
Pasi ka përmendur sukseset e arritura të vendit në shumë fusha të jetës, Mustafa iu ka referuar edhe zhvillimeve edhe migrimeve të pakëndshme të qytetarëve tanë: " Popull që mbijetoi nga shumë pushtime dhe pushtete të huaja, popull që shtëpitë i bëri shkolla, kur shkollës iu vë dryni, popull që u bë një për t'i thënë jo shtypjes e tiranisë, popull punëtor në tokat e tij por edhe në shumë vende të botës. Popull poashtu që merr botën në sy, mbyll dyer e shet bagëti për të provuar jetën në mërgim. Dhe kur e shohim veten ashtu si jemi dhe jo vetëm ashtu si dëshirojmë të jemi, kuptojmë se edhe ne jetojmë me realitetin tonë, ashtu siç jetojnë edhe popujt e tjerë."
Megjithëkëtë ai ka pohuar se për 7 vjet pavarësi dhe 15 vjet nga çlirimi, Kosova ka ndryshuar petkun e saj, jo vetëm në pikëpamje kushtetuese e juridike por edhe në infrastrukturën ekonomike e sociale. "Ndryshimet janë të dukshme dhe të prekshme në të gjitha fushat, në zhvillimin e sektorit privat, në sektorin bankar, në infrastrukturën shkollore, shëndetësore, kulturore e sportive dhe sidomos në infrastrukturën rrugore në zhvillimin urban dhe zhvillimin rural.", ka pohuar kryeministri i vendit.
Pasi përmendur njohjen e Kosovës nga 108 vende të botës, përfshirë edhe vendet lidere të botës dhe faktin q ë vendi ynë është anëtar i institucioneve më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Mustafa është shprehur optimist se këtë vit Kosova do ta nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, duke na u hapur mundësia të fillojmë marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian. " Jemi i vetmi vend i privuar nga lëvizja e lirë dhe presim përkrahje nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, në saje të përmbushjes së kritereve, sikurse edhe vendet e tjera.", ka spikatur kreu i Qeverisë.
Tutje Mustafa ka pohuar se Kosova për këto vite ka pasur një normë relativisht të mirë të rritjes ekonomike, por ajo nuk ka përmbushur nevojat për zhvillim më të shpejtë dhe zgjidhje të papunësisë. "Numri i lartë i të papunëve dhe varfëria së bashku me korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar , janë sfida që i kemi para nesh" ka thënë Mustafa, duke u zotuar se ato duhen zgjidhur.
" Ne nuk dëshirojmë të ndërtojmë një shtet në të cilin do të mburremi se po komunikojmë me të varfëritë, por një shtet nga i cili do ta flakim skamjen", ka thënë Mustafa, duke apeluar që të flakim dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar;t'i flakim edhe tendencat oligarkike në ekonomi, të cilat ngulfatën zhvillimin dhe konkurrencën e lirë.
"Do të punojmë të gjithë së bashku, Kuvendi, Qeveria dhe shtylla e drejtësisë për të vënë rend dhe ligj, për të siguruar shtet të së drejtës.", është zotuar kreu i ekzekutivit të vendit.
"Kosova është vend i sigurt për të jetuar, vend që ofron dhe do të ofrojë perspektivë për çdo qytetar të saj" ka theksuar Mustafa, duke u zotuar se do të punojmë shumë për të përballuar problemet aktuale të papunësisë.
"Njerëzit nuk kanë arsye të largohen nga Kosova, arsye kanë të qëndrojnë në Kosovë. Kosovarët nuk janë popull që jetojnë nga ndihmat, dhe ne e dimë se qindra e mijëra qytetarë tanë u kthyen në qershor të vitit 1999 nga perëndimi, edhe pse kishin të drejta azili dhe kishin mundësi ta fitojnë atë.", ka përkujtuar Mustafa.
Ai ka folur edhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës për marrëdhënie të mira me fqinjët, duke specifikuar edhe dialogun me Republikën e Serbisë, që po organizohet e po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Ai ka përmendur rezultatet e këtij dialogu, sidomos marrëveshjen e arritur për drejtësi, e cila do të mundësojë funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë edhe në pjesën veriore të vendit, konform ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës. Ai ka pohuar se përfundimi me sukses ti procesit të dialogut me Serbinë, nënkupton njohjen e ndërsjellë dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Duke u uruar qytetarëve edhe një herë shtatë vjetorin e pavarësisë së Republikës, Mustafa i ka ftuar ata :"të punojmë së bashku, në mënyrë që vendin tonë të dashur - Republikën e Kosovës, ta bëjmë shtet të përparuar dhe të zhvilluar, shtet të rendit e të ligjit, shtet të institucioneve të përgjegjshme e llogaridhënëse, shtet në të cilin secili qytetar do të ndjehet njësoj i rëndësishëm dhe njësoj i çmuar".
"Le të punojmë, pra, me dashuri dhe me besim se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe e qytetarëve të saj do të jetë më e ndritur dhe më e begatshme.
Le të punojmë me angazhim e përulësi, sepse ne, të gjithë, jemi të përkohshëm, ndërsa e përhershme është vetëm Republika e Kosovës, atdheu ynë i mrekullueshëm!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovën dhe popullin e saj!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!", ka përfunduar kryeministri Mustafa.