Lajmet e fundit

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në shtatë vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

E Marte, 17.02.2015




E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,
I nderuari Kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Deputetë të nderuar,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të dijes e të kulturës, të klerit, të shoqërisë civile dhe të medieve,
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të nderuar,

Ndihem i privilegjuar që kam rastin t'ju drejtohem sot, në shtatë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, ditës kur përfaqësuesit tanë e bënë vendin tonë pjesë të familjes së madhe të vendeve të lira dhe demokratike të botës.

17 shkurti i vitit 2008, është akti më madhështor i historisë së vendit tonë, është çasti më sublim i gjithë historisë së Kosovës. Kjo datë madhore, është kufiri kohor që ndan historinë e re të Kosovës nga e shkuara e saj tragjike.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është rezultat i punës, i angazhimit , i dijes dhe i luftës së pandërprerë të popullit të Kosovës për realizimin e së drejtës më themelore të secilit popull, lirisë dhe mëvetësisë së tij.

Edhe popullit të Kosovës, si shumë popujve të tjerë liridashës, i është dashur të vuajë e të sakrifikojë shumë për të arritur ditën e shumëpritur të saj, Ditën e Pavarësisë. Ndaj, si gjithmonë, është momenti që t'i kujtojmë me nderim baballarët tanë, nënat, vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat më të mira të këtij vendi, të cilët, në vite dhe në rrethana të ndryshme, u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot, dua ta kujtoj në mënyrë të veçantë Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, komandantin e UÇK-së Adem Jashari, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të gjithë ata që me vullnetin dhe përkushtimin e tyre punuan dhe u flijuan për të ardhmen e këtij vendi.

Dua t'i nderojmë bashkërisht sot edhe nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, të cilët më nuk janë në mesin tonë, por që me aktin e tyre janë bërë pjesë e përjetësisë së Kosovës.

Edhe në këtë përvjetor, shprehim falënderimet më të sinqerta të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe për të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s, të cilat dhanë ndihmën e tyre vendimtare për çlirimin e vendit tonë.

Republika e Kosovës do t'u jetë përherë mirënjohëse këtyre vendeve, të cilat, faktikisht, e shpëtuan popullin e Kosovës nga gjenocidi, duke na mundësuar neve, po edhe mbarë rajonit, të nisim një epokë të re në marrëdhëniet e ndërsjella, të nisim epokën e integrimit në familjen e madhe të vendeve të lira e demokratike euroatlantike.

Dua të falënderoj Shqipërinë dhe qytetarët e saj si dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc, për përkrahjen e madhe që na dhanë në ditët më të vështira që përjetuam në mbarim të fundshekullit të kaluar. Sot me Shqipërinë po integrohemi në fusha të ndryshme, rrugën e vështirë të cilën e kaluan qindra e mijëra njerëz tanë nga Kosova për të gjetur shpëtim dhe për tu strehuar në familjet shqiptare, sot e kemi zëvendësuar menjë rrugën e re , me lidhje të reja ekonomike, arsimore e kulturore, me integrime mbarëshqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi solemn,
Zonja dhe zotërinj

Shtatë vite të pavarësisë së Kosovës shihen ndryshe dhe vlerësohen ndryshe nga politikanë, qytetarët, shoqëria civile dhe institucionet ndërkombëtare.

Ata që drejtuan shumë procese gjatë kësaj periudhe si dhe ata që përkrahën proceset e mëdha flasin për arritje të mëdha, të tjerët numërojnë shumë nga premtimet e paarritura dhe të mbetura bosh, kurse Raporti i Progresit flet për ecuri pozitive por edhe për ngecje në fushat të cilat Kosova ka interes të bëjë hapa më të shpejtë si parakusht për integrime evropiane.

E vërteta e pamohueshme është për të gjithë ne, se e arritura më e madhe historike është vet pavarësia. Pavarësia për neve nuk është vetëm sinonim i mundësive dhe shanseve, është realiteti mbi të cilin e gëzojmë përgjegjësinë të ndërtojmë fatin tonë me duart tona, të bëjmë ardhmërinë tonë me vullnetin tonë, të ndërtojmë miqësi me popuj e vende të këtij globi me vullnetin e sovranit.

E sovrani jemi ne vet, këta që jemi. Popull që mbijetoi nga shumë pushtime dhe pushtete të huaja, popull që shtëpitë i bëri shkolla, kur shkollës iu vë dryni, popull që u bë një për t'i thënë jo shtypjes e tiranisë, popull punëtor në tokat e tij por edhe në shumë vende të botës.

Popull poashtu që merr botën në sy, mbyll dyer e shet bagëti për të provuar jetën në mërgim. Dhe kur e shohim veten ashtu si jemi dhe jo vetëm ashtu si dëshirojmë të jemi, kuptojmë se edhe ne jetojmë me realitetin tonë, ashtu siç jetojnë edhe popujt e tjerë.

Kuptojmë se filluam më vonë nga të tjerët rrugën e tranzicionit, jo me fajin dhe dëshirën tonë, por se ishim të pushtuar, kuptojmë se për tu krahasuar me të tjerët duhet edhe të punojmë sa të tjerët, se për tu paguar e për të pasur sa të tjerët duhet të fitojmë sa ata, sepse jetojmë në një botë të konkurrencës së dijes dhe punës, ku të vetmen barazi e kemi se paguajmë çmime të njëjta dhe shtyhemi në të njëjtin treg por se jemi të pabarabartë në zhvillimin ekonomik. E kjo pabarazi duhet të jetë motiv për punë e dije, motiv shtytës për arritje të reja, për tu barazuar dhe për t'i kaluar të tjerët.

Shohim se për 7 vjet pavarësi dhe 15 vjet nga çlirimi, Kosova ka ndryshuar petkun e saj, jo vetëm në pikëpamje kushtetuese e juridike por edhe në infrastrukturën ekonomike e sociale. Ndryshimet janë të dukshme dhe të prekshme në të gjitha fushat, në zhvillimin e sektorit privat, në sektorin bankar, në infrastrukturën shkollore, shëndetësore, kulturore e sportive dhe sidomos në infrastrukturën rrugore në zhvillimin urban dhe zhvillimin rural.

Kosova sot është e pranuar nga 108 vende të botës, përfshirë edhe vendet lidere të botës. Kosova sot është anëtare e institucioneve më të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Këtë vit Kosova do ta nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim dhe neve na hapet mundësia të fillojmë marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian. Jemi i vetmi vend i privuar nga lëvizja e lirë dhe presim përkrahje nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, në saje të përmbushjes së kritereve, sikurse edhe vendet e tjera.

Kosova për këto vite ka pasur një normë relativisht të mirë të rritjes ekonomike, por ajo nuk ka përmbushur nevojat për zhvillim më të shpejtë dhe zgjidhje të papunësisë. Numri i lartë i të papunëve dhe varfëria së bashku me korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar , janë sfida që i kemi para nesh.

Ne duhet ti zgjidhim këto, sepse ne jemi ata që duhet të krijojmë një ambient të volitshëm për zhvillim ekonomik, për tërheqje të investimeve të huaja direkte, për shfrytëzim të resurseve natyrore e njerëzore të cilat i kemi, dhe për punësim më të lartë. Në kulturën dhe dinjitetin tonë nuk është lavd të themi se jemi të varfër por lavdi qëndron në vendosmërinë tonë për mos të qenë të varfër. Ne nuk dëshirojmë të ndërtojmë një shtet në të cilin do të mburremi se po komunikojmë me të varfëritë, por një shtet nga i cili do ta flakim skamjen.

Do të flakim dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar, do t'i flakim edhe tendencat oligarkike në ekonomi, të cilat ngulfatën zhvillimin dhe konkurrencën e lirë. Do të punojmë të gjithë së bashku, Kuvendi, Qeveria dhe shtylla e drejtësisë për të vënë rend dhe ligj, për të siguruar shtet të së drejtës.

Nuk do të lejojmë që shteti dhe institucionet të kapen nga individët, që shteti të kërcënohet nga rruga, që demokracia të zhvendoset nga Kuvendi në sheshe. Të gjithë ne do të respektojmë votën, kushtetutën dhe ligjin dhe asnjëri nuk mund të vihet mbi to. Demokracia nënkupton vullnetin e shumicës, votën e lirë të qytetarëve por edhe zbatim të rendit dhe ligjit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka program konkret për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve tanë. Siç e kemi prezantuar tanimë, ky program është përqendruar në Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien; Sundimi i ligjit dhe shteti ligjor; Agjenda evropiane; Reformat cilësore në arsim dhe shëndetësi.

Realizimi i këtij programi do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike të vendit, duke hapur perspektiva të reja për të gjithë qytetarët, e sidomos për të rinjtë, të cilët janë njëra ndër prioritet kryesore të Qeverisë sonë.

Kosova është vend i sigurt për të jetuar, vend që ofron dhe do të ofrojë perspektiv për çdo qytetar të saj. Do të punojmë shumë për të përballuar problemet aktuale të papunësisë duke i dhënë prioritet bujqësisë dhe veprimtarive me vlerë të shtuar, të cilat punësojnë të rinj.

Do të krijojmë qasje në tregjet rajonale dhe evropiane të punëve sezonale përmes marrëveshjeve ndërshtetërore. Do të ndryshojmë dhe përmirësojmë ambientin ligjor për të tërhequr investime të huaja direkte dhe kapital zhvillimor. Do të reformojmë sektorin publik për të siguruar kushte të barabartë ekonomike dhe konkurrente ndërmjet sektorit privat dhe atij publik; do të reformohet, poashtu, sistemi i pagave i cili do ta rrisë përgjegjësinë, efiçiencën dhe efikasitetin.

Krahas zhvillimit ekonomik e punësimit, rëndësi e posaçme do t'i kushtohet edhe agjendës së integrimit euroatlantike të vendit tonë, si dhe ngritjes së nivelit të cilësisë së arsimit, në të gjitha institucionet tona arsimore, në mënyrë që nxënësit dhe studentët tanë të marrin dije kompatibile me ato të bashkëmoshatarëve të tyre kudo në botën e qytetëruar.

Njerëzit nuk kanë arsye të largohen nga Kosova, arsye kanë të qëndrojnë në Kosovë. Kosovarët nuk janë popull që jetojnë nga ndihmat, dhe ne e dimë se qindra e mijëra qytetarë tanë u kthyen në qershor të vitit 1999 nga perëndimi, edhe pse kishin të drejta azili dhe kishin mundësi ta fitojnë atë.

Ata lirinë nuk e këmbyen me azilin, nuk këmbyen me ndihma, por erdhën të jetojnë nga puna e tyre, në vendin e lirisë. Edhe sot pres që qytetarët tanë të kthehen e të punojnë në vendin e tyre. Ky është vend i sigurt për ta.

Të nderuar dinjitarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Republika e Kosovës është vend që angazhohet për paqe, bashkëpunim e fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit. Në këtë frymë, ne edhe jemi angazhuar në dialogun me Republikën e Serbisë, proces ky që po organizohet e po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Ne kemi përqafuar dialogun si mjet të vetëm për të zgjidhur problemet e trashëguara nga lufta dhe nga e kaluara. Dialogu si instrument i ushtrimit të sovranitetit në tërë territorin e vendit tonë dhe të integrimit të qytetarëve tanë po tregohet frytdhënës.

Rezultati i fundit i këtij dialogu është marrëveshja e arritur për drejtësi, e cila do të mundësojë funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë edhe në pjesën veriore të vendit, konform ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës synon që përfundimi i procesit të dialogut me Serbinë të jetë i suksesshëm për të dyja vendet, e kjo për ne nënkupton njohjen e ndërsjellë dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Vetëm kështu do të mund të lihej pas e kaluara e dhimbshme, ndërsa popujve tanë do t'u jepej mundësia që, më në fund, të zinin hapin e zhvillimit e të përparimit të vendeve të tjera të kontinentit.

Mirëpo, edhe në këtë ditë, ne ritheksojmë se krahas politikës sonë të paqes dhe të mirëkuptimit, Kosova ka qenë shumë gjeneroze në ofertat për të drejtat e popullatës jo shumicë të përmbledhura me marrëveshjen e arritur sipas Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari dhe në Kushtetutë, si në asnjë vend tjetër.

Prandaj ne presim nga përfaqësuesit e komuniteteve, sidomos atij serb që të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të reflektojnë përcaktimin e tyre për këto institucione, si shprehje e përkushtimit për zgjidhjen e problemeve të çdo qytetari, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare e gjinore.

Të jetuarit në harmoni dhe në diversitet ka qenë njëra ndër vlerat unike të Kosovës gjatë shekujve dhe ne jemi të bindur se kështu do të mbetet edhe në të ardhmen.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Duke ju uruar edhe një herë shtatë vjetorin e pavarësisë së Republikës,ju ftoj që të punojmë së bashku, në mënyrë që vendin tonë të dashur - Republikën e Kosovës, ta bëjmë shtet të përparuar dhe të zhvilluar, shtet të rendit e të ligjit, shtet të institucioneve të përgjegjshme e llogaridhënëse, shtet në të cilin secili qytetar do të ndjehet njësoj i rëndësishëm dhe njësoj i çmuar.

Republika e Kosovës ka nevojë për secilin nga ne, prandaj t'i japim asaj gjithçka që kemi mundësi t'i japim. Le të na bëhet moto e punës sonë thënia e njohur e Presidentit amerikan Kenedi: "Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet ç'mund të bësh ti për vendin tënd".

Brezi ynë ua ka borxh këtë jo vetëm fëmijëve tanë, ardhmërisë së këtij vendi, por edhe brezave të mëparmë, të cilët punuan dhe sakrifikuan shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Le të punojmë, pra, me dashuri dhe me besim se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe e qytetarëve të saj do të jetë më e ndritur dhe më e begatshme.

Le t punojmë me angazhim e përulësi, sepse ne, të gjithë, jemi të përkohshëm, ndërsa e përhershme është vetëm Republika e Kosovës, atdheu ynë i mrekullueshëm!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovën dhe popullin e saj!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!
Ju faleminderit dhe urime!