Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit Republika ime
E Hënë, 16.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të prodhuesve vendorë "Republika ime", i organizuar nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe Evropianët e rinj të Kosovës, për nder të Ditës së pavarësisë.
Gjatë vizitës në panair, kryetari Veseli takoi prodhuesit vendorë, të pranishëm në panair, nga të cilët u njoftua për punën e tyre dhe problemet me të cilat ballafaqohen, qoftë në procesin e prodhimit, qoftë në atë të plasimit në tregje.
Në bashkëbisedim me përfaqësuesit e këtyre bizneseve, kryeparlamentari Veseli i përgëzoi ata për punën e tyre të palodhshme dhe njëherësh i inkurajojë që të vazhdojnë me veprimtarinë e tyre prodhuese. Z. Veseli shtroi nevojën urgjente që institucionet e Kosovës të ngrisin nivelin e përkrahjes ligjore dhe përmes subvencioneve, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme.
"Formula e ecjes përpara është e qartë: vetëm prodhimi sjell zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët. Është koha e fundit që të gjitha potencialet t'i orientojmë në këtë drejtim", theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.