Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 16.02.2015




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, diskutoi lidhur me përgatitjet për seancën solemne, e cila do të mbahet në kuadër të shënimit të 7-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Seanca mbahet nesër, më 17 shkurt, në orën 15:00.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe disa kërkesa e rekomandime.

Ajo vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejtë t'i procedojë propozimet për anëtar të Bordit të AKP-së. Administrata e Kuvendit, ndërkaq, u ngarkua që të shpallë konkursin për zgjedhjen e kryesuesit të Komisionit shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim, në bazë të dispozitave ligjore dhe vendimit të Komisionit për Bujqësi, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Në vazhdim, u shqyrtua propozimi i Komisionit për Punë të Jashtme për formimin e grupeve të miqësisë dhe riformimin në fillim të mandatit të ri parlamentar. U vendosë të kërkohet nga grupet parlamentare që të sjellin emrat për anëtarë të këtyre grupeve, ndërsa themelimi i tyre do të bëhet me vendim të Kryesisë.

Anëtarët e Kryesisë u njoftuan edhe me vendimin e Grupit Parlamentar Nisma për emërimin e deputetes Valdete Bajrami, kryetare të këtij grupi parlamentar.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së KuvenditNga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit