Lajmet e fundit
Kryetari Veseli zhvilloi një takim me gratë deputete të Kuvendit
E Premte, 13.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, pati sot një takim me gratë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në takim deputetet ngritën shqetësimin e tyre për disa, siç u tha, paraqitje mediale ku sipas tyre deputete të caktuara, në disa raste, janë vënë në qendër të ekspozimeve të padenja, fyese në aspektin gjinor dhe joprofesionale nga disa media të vendosura në pjesën e sipërme të sallës së Kuvendit.
Kryetari Veseli theksoi se liria e mediave dhe transparenca e punës së institucioneve është e padiskutueshme, por raportimet paragjykuese, në këtë rast me bazë gjinore, të cilat cenojnë personalitetin dhe dinjitetin e secilit, pra edhe të deputeteve dhe deputetëve janë të papranueshme. Kryetari Veseli vlerësoi se mediat e lira janë avangardë e shoqërisë së hapur dhe demokratike.
Kuvendi i Republikës së Kosovës e vlerëson lart rëndësinë e mediave në avancimin e standardeve demokratike në jetën tonë institucionale dhe sociale, por kërkon që raportimet për punën e deputetëve të fokusohen në angazhimet e tyre profesionale e politike, të jenë objektive, jashtë çdo paragjykimi gjinor, etnik apo të ndonjë natyre tjetër.