Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Premte, 13.02.2015




Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e nisur dje, ka vazhduar edhe sot nën kryesimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Në këtë mbledhje, deputetët shqyrtuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci.

Ai tha se ministria që ai udhëheqë, ka për qëllim krijimin e kushteve për zhvillim sa më të madh ekonomik. Në funksion të kësaj, tha në vijim ministri, është edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike. Po ashtu, ai sqaroi se me këtë projektligj synohet krijimi i bazës juridike për ndërmarrjen "Trepça".

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli deputeti, Besim Beqaj. Ai tha se GP i PDK-së, e përkrah projektligjin, ndërsa kërkoi që neni 11. 3,(e që ka të bëjë me rolin e komunave në ndërmarrjet publike), të riformulohet. Në ndërmarrjet me rëndësi të veçantë, tha Beqaj, roli i komunave duhet të jetë i kufizuar. Komunat, vlerësoi ai, mund të kenë ndikim vetëm në ndërmarrjet që kanë karakter komunal, e jo edhe në ato të interesit nacional.

Në emër të GP të LDK-së, si dhe në emër të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, foli deputeti, Muhamet Mustafa. Ai u shpreh se projektligji ndikon në shfrytëzimin racional të resurseve ekonomike të vendit, ndërsa vlerësoi se duhet të riformulohet neni 11.3 i projektligjit, në mënyrë që roli i komunave të precizohet më qartë.

Qëndrimin e VV-së, e paraqiti deputeti, Visar Ymeri. Ai kritikoi Qeverinë për, siç tha ai, heqjen dorë nga ideja fillestare lidhur me ndërmarrjet publike. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte sikur ndërmarrja "Trepça" të shndërrohet në ndërmarrje publike. Sa i përket projektligjit, Ymeri propozoi që nga ai të hiqet neni 11. 3.

Në emër të GP të AAK-së, foli deputeti, Pal Lekaj, i cili këtë projektligj e vlerësoi shumë të dëmshëm për vendin. Sipas tij, nenet e këtij projektligji fuqizojnë shumë rolin e komunave, ndërsa do të pamundësojë zhvillimin ekonomi të vendit.

Deputeti Fatmir Limaj, duke folur në emër të NISMA-s, u shpreh se me një dialog të brendshëm në mes të grupeve parlamentare, mund të gjendet një zgjedhje më e mirë për ndërmarrjet publike. Edhe ky vlerësoi se neni 3 pika 11.3 duhet hequr nga projektligji.

Në favor të projektligjit, ndërkaq, është shprehur përfaqësuesja e GP 6+, Duda Balje.

Për projektligjin foli edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa. Në fjalën e tij ai tha se me këtë projektligj synohet të arrihen dy objektiva. Së pari, të sigurohet një e ardhme zhvillimore për ndërmarrjen "Trepça" dhe së dyti, që disa nga ndërmarrjet, të hiqen nga autoriteti menaxhues i AKP-së. Kryeministri bëri thirrje për një bashkëpunim sa më të mirë në mes grupeve parlamentare, si rrugë e vetme e miratimit të një ligji adekuat për ndërmarrjet publike.

Gjatë debatit lidhur me këtë projektligj, foli edhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami. Ajo vlerësoi se projektligji i propozuar është zgjidhja më e mirë që rregullon këtë fushë, ndërsa u distancua nga deklarimet e deputetit, Glauk Konjufca e Ramush Haradinaj, të cilët në paraqitjen e tyre, paralajmëruan protesta.

 


Kuvendi me shumicë votash zgjodhi anëtarët e Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Në vijim të mbledhjes, (të cilën e kryesoi nënkryetari, Xhavit Haliti), mospajtime dhe vërejtje të shumta lidhur me projektligjin, paraqitën deputetët e bllokut opozitar. Deputetët e pozitës, ndërkaq, vlerësuan se projektligji është adekuat për rregullimin e kësaj fushe si dhe, zhvillimin ekonomik të ndërmarrjes "Trepça". Debati, po ashtu, vuri në pah se neni 3, përkatësisht pika 11. 3 e këtij neni të projektligjit, duhet të riformulohet, për çka u pajtuan edhe deputetët e pozitës. Ata, po ashtu u pajtuan që Qeveria të sjellë në Kuvend sa më shpejtë një ligj të veçantë për Trepçën.

Për projektligjin foli edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Projektligji është sjellë në Kuvend, duke mos iu nënshtruar as një presioni, që gjatë debatit pretendohet të paraqitet, tha kryetari, Veseli. Po ashtu, ai vlerësoi se hapat e ndërmarrë nga Kuvendi, kanë qenë mënyra e vetme për të shpëtuar ndërmarrjen "Trepça" nga likuidimi, ndërsa projektligji do t'i hapë rrugë zhvillimit të saj. Shkakun e vendimeve të shpejta lidhur me ndërmarrjen "Trepça", kryeparlamentari, Veseli, e arsyetoi me vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Pas shterimit të debatit, kryesuesi e hodhi në votim projektligjin. Deputetët, me shumicë votash 48 për, 22 kundër dhe një abstenim, miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e propozimit për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Për qëndrimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, njoftoi kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu. Ajo njoftoi se komisioni ka përkrahur kandidaturat. Pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare, propozimi u hodh në votim, ndërkaq, deputetët me shumicë votash i përkrahën propozimet.

Të zgjedhurit anëtarë të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, me mandat dy vjeçar janë: Avdi Dinaj, Nebojsha Voiqiq, Idajen Ismaili, Ymer Hoxha dhe Ramë Gashi.

Në fund të mbledhjes, Kuvendi është njoftuar edhe me propozimin e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisione.

 

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit