Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 12.02.2015




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka raportuar lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me gjyqësorin.

Në fillim të kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit, Veseli, propozoi që në rend të ditës, si pikë e katërt të futet edhe raporti i kryeministrit Mustafa. Ky propozim u miratua, ndërsa mbledhja vijoi me dy pikat e përhershme në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët: Agim Çeku, Ramush Haradinaj, Zafir Berisha, Xhevahire Izmaku, Doruntinë Maloku, e të tjerë, ngritën një varg çështjesh e shqetësimesh të qytetarëve, ndërkaq, pyetjeve të deputetëve u është përgjigjur, kryeministri Mustafa, si dhe anëtarët e kabinetit qeveritar: Imet Rrahmani, Ferid Agani, Arsim Bajrami, Hykmete Bajrami dhe Blerand Stavileci.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, duke raportuar për marrëveshjen e arritur në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë, vuri në pah rëndësinë e marrëveshjes, ndërsa theksoi se ajo është në harmoni me Kushtetutën, ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, që ka të bëjë me bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë. Në vijim të paraqitjes së tij, kryeministri i vendit tha:" "Jemi të përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe presim që këtë ta arrijmë me anë të dialogut". Ai tutje shtoi se marrëveshja e arritur në Bruksel vitin e kaluar, ka kontribuar në lëvizjen e lirë, si dhe, në integrimin e qytetarëve serb. Po ashtu, kryeministri, Mustafa, sqaroi se me dialog synohet në zhbërjen e strukturave ilegale serbe, përkatësisht Mbrojtjes Civile Serbe, e cila vazhdon të funksionojë në veri të vendit. Duke iu referuar marrëveshjes së fundit, e që ka të bëjë me çështjen e drejtësisë, Mustafa tha se ajo ruan sistemin unik të drejtësisë në vend. Ai i siguroi deputetët se marrëveshja është në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por vlerësoi gjithashtu rëndësinë e implementimit të saj në tërësi. Ai po ashtu foli edhe për orientimin euro-atlantik të vendit, i cili sipas tij mund të arrihet vetëm me anë të dialogut. Duke folur për vijimin e dialogut, kryeministri i vendit paralajmëroi bisedime edhe për demarkacionin, dëmshpërblimet e luftës dhe për personat e pagjetur.

Pas kësaj vijoi deklarimi në emër të grupeve parlamentare.

Në emër të GP të PDK-së, foli, Enver Hoxhaj, i cili e vlerësoi me interes për vendin marrëveshjen e arritur. GP i PDK-së, tha ai, i jep mbështetje kësaj marrëveshje, ndërsa kujtoi se ajo është rezultat i negociatave më se dy vjeçare. Kjo tregon, u shpreh ai në vijim, se qëllimi i Serbisë për të krijuar sistem paralel të drejtësisë në Kosovë, ka dështuar. "Marrëveshja ruan unitetin e sistemit të drejtësisë dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës", tha Hoxhaj.

Në emër të GP të LDK-së, foli Ismet Beqiri, shef i këtij grupi. Edhe ai deklaroi mbështetjen në favor të marrëveshjes, ndërsa vlerësoi të rëndësishme implementimin e saj. Ai po ashtu u shpreh se praktika e informimit në Kuvend, të vijojë edhe në të ardhmen.

Në emër të GP të VV-së, fjalën e mori Visar Ymeri. Ai th ase ky grup parlamentar është kundër kësaj marrëveshje, sepse sipas tij, është shkelur Kushtetuta e vendit. Këtë deklarim ai bëri duke iu referuar pikës së 13 të marrëveshjes, ndërsa kritikoi kryeministrin për qëndrim të kundër të tij në kohën kur partia e tij ishte në opozitë.

Fatmir Limaj nga NISMA, ndërkaq, u shpreh skeptik se marrëveshja është e dobishme, ndërkaq tha se ajo do duhej të sillej me shkrim para se të vendosej në rend të ditës në mbledhjen e sotme. Ai tërhoqi vërejtjen për rreziqet që bart dialogu, ndërsa kërkoi koncesus në mes partive për çështjet me interes nacional.

 

 

Në emër të GP 6+, foli deputeti, Qerim Bajrami. Ai the se ky grup parlamentar, sikurse deri tani, mbështet çdo iniciativë qeveritare, e cila ndikon në shtrirjen e sovranitetit në vend.

Opozita: marrëveshja është kundër kushtetuese

Në vijim të mbledhjes, të cilën e kryesoi nënkryetari, Sabri Hamiti, deputetët zhvilluan debat lidhur me raportin e kryeministrit, Mustafa.

Albulena Haxhiu (VV), vlerësoi se marrëveshja është e dëmshme dhe bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Duke kritikuar marrëveshjen, Haxhiu në vijim u shpreh se ajo krijon standarde të dyfishta dhe nuk ka bazë juridike në legjislaturën e vendit.

Deputeti, Armend Zemaj (LDK), ndërkaq, kërkoi që procesi negociator të zhvilohet me transparencë të plotë. Ai me këtë rast kërkoi që në marrëveshjet e arritura, të kenë qasje edhe deputetët.

Sqarime rreth disa pikave të marrëveshjes kërkoi edhe deputetja, Vjosa Osmani, ndërsa deputeti, Ilir Deda, shprehi keqardhje për faktin se gjatë debatit në Kuvend, nuk ishte i pranishëm kryeministri, Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi. Ai po ashtu elaboroi përmbajtjen e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, për të cilën u shpreh i bindur se është antikushtetuese dhe anti ligjore.

Në debat u angazhuan edhe deputetët, kryesisht nga blloku opozitar: Time Kadrijaj, Emilia Rexhepi, Teuta Haxhiu, Arben Gashi, Glauk Konjufca, Zafir Berisha, Njomza Emini, Puhie Demaku, Muhamet Mustafa, Besnik Bislimi, Sadri Ferati, Faton Topalli, Nuredin Ibishi, Ismail Kurteshi, Veton Berisha, Fisnik Ismaili dhe Shqipe Pantina, të cilët në diskutimet e tyre dhanë vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me marrëveshjen e nënshkruar.

Ministrja pa portofol e kabinetit qeveritar, Edita Tahiri, ndërkaq, i bëri një vështrim në tërësi dialogut. Ajo me këtë rast kujtoi gjendjen në Kosovë para dialogut. Sipas saj, gjendja është e pakrahasueshme, duke pasur parasysh sidomos gjendjen në veri të vendit. Tahiri tha se dialogu ka bërë që të vendosen kufijtë ndërshtetëror me Serbinë, qarkullimin e lirë të mallrave, kontrollin doganor të qytetarëve serbë me rastin e hyrjes së tyre në Kosovë, heqjen e policisë paralele (MUP) nga Kosova, e çështje të tjera, që sipas saj janë rezultat i dialogut. Ministrja Tahiri u bëri thirrje deputetëve që të shohin anët pozitive të dialogut, si rrugë e vetme për të ushtruar sovranitetin e plotë në vend dhe integrimin në strukturat euro-atlantike.

Pas përfundimit të debatit, mbledhja ka vazhduar me shqyrtimin e Propozim-programit të punës së Kuvendit për vitin 2015. Lidhur me këtë, pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare, deputetët me shumicë votash miratuan Propozim-programin e punës së Kuvendit për vitin 2015, të propozuar nga Kryesia e Kuvendit.

Pas përfundimit të këtyre pikave u vendos që mbledhja të vazhdojë nesër nga ora: 10:00.

 

Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit