Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Veseli, u takua me ish-presidentët Meidani, Moisiu e Topi
E Mërkure, 11.02.2015
Ish-presidentët e Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu e Bamir Topi, kishin rezervuar sot një pritje të veçantë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe delegacionin që e shoqëron.
Kryetari Veseli i njoftoi ish-presidentët shqiptarë me angazhimet e Kuvendit të Kosovës, si dhe zhvillimet aktuale në vend. Kreu i legjislativit, në emër të institucioneve të Kosovës falënderoi tre ish-drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar për kontributin e dhënë gjatë presidencës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai e konsideroi të çmuar për Kosovën çdo mbështetje të ardhur nga Tirana, në secilën fazë të historisë e shtetndërtimit të saj. Kryetari Veseli, çmoi gjithashtu, angazhimet e tyre në krijimin e politikave unifikuese përbrenda faktorit politik shqiptar, si në fazën e ushtrimit të detyrës në krye të shtetit, ashtu edhe në periudhat pasuese.
Ish-presidentët Meidani, Moisiu e Topi vlerësuan të arriturat në Kosovë dhe potencuan rëndësinë e bashkërendimit të politikave për një varg çështjesh të interesit të përbashkët të të dyja vendeve.