Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli u takua me ish-kryeministrin Berisha
E Mërkure, 11.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot në Tiranë një takim të veçantë me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Kryeparlamentari Veseli i shprehu ish-kryeministrit shqiptar falënderime të veçanta për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, gjatë veprimtarisë së tij politike e me përgjegjësi shtetërore. Kreu i Kuvendit të Kosovës veçoi, sidomos, angazhimin e palodhshëm të ish-kryeministrit shqiptar në periudhën e shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si dhe në zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të saj.
Ndërtimi i infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, duke i hapur kështu rrugë përafrimit të mëtejmë ndërmjet dy vendeve, ishte një nga të arriturat e mëdha që kryeparlamentari Veseli ia atribuoi ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ish-kryeministri shqiptar, përgëzoi kryetarin Veseli për detyrën në krye të Kuvendit të Kosovës dhe u uroi suksese në këtë funksion me përgjegjësi të lartë shtetërore. Ai e njohu kryetarin Veseli me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe për qasjen e opozitës shqiptare ndaj tyre.