Lajmet e fundit
Deputetja Brovina priti ambasadoren e Zvicrës në Kosovë znj. Lang
E Mërkure, 11.02.2015
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Flora Brovina, ka pritur sot në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë , Krystyna Marty Lang.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kosovës dhe Zvicrrës, në fusha të ndryshme, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në funksion të avancimit të sektorit të shëndetësisë së Kosovës, për sigurimet shëndetësore, si dhe për çështjen e pensioneve të qytetarëve tanë të cilët kanë punuar në Zvicër.
Kryetarja e komisionit, Brovina, e falënderoi ambasadoren Lang për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer që Zvicra ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën. Njëherësh shprehu keqardhjen për migrimin e qytetarëve tanë drejte Zvicrës dhe vendeve të BE-së. Ajo e njoftoi diplomaten zvicerane edhe me gjendjen në shëndetësinë dhe çështjeve sociale në Kosovë, si dhe me planet e komisionit që ajo udhëheq, për të kontribuuar në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet ky sektor. Brovina foli edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore, i cili pritet të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti, e që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për sektorin shëndetësor dhe qytetarët e vendit. Ajo kërkoi mbështetjen e Zvicrës në ofrimin e trajnimeve të kuadrove të sektorit të shëndetësisë me qellim të trajtimit të pacienteve brenda Kosovës dhe zvogëlimin e numrit të tyre që kërkojnë trajtim jashtë vendit. Ajo kërkoi mbështetje edhe për qasjen e fondeve strukturale për krijimin e mundësive të reja për punësimin e të rinjve dhe parandalimin e migrimit te qytetarëve tanë neper vende të ndryshme. Po ashtu kërkoi mbështetjen edhe ne krijimin e qendrave për rehabilitimin e përdoruesve të substancave narkotike, si dhe të Qendrave për Aftësim Profesional dhe përshtatjen e shërbimeve për nevojat e tregut.
Ambasadorja znj. Lang, ndërkaq, bëri një elaborim të mbështetjes që Zvicra ka bërë për Kosovën deri me tani, si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar edhe më tej që të ofrojë mbështetje konkrete në këta sektorë të cilët i mbulon ky komision. Ajo me këtë rast prezantoi edhe programet të cilat do t'i zhvillojnë në sektorin e shëndetësisë,si në ofrimin e trajnimeve profesionale për Menaxheret dhe stafin profesional të institucioneve të kujdesit primar shëndetësor. Ambasadorja, ndërkaq, përmendi edhe mbështetjen e Bankës Botërorë nëpërmjet Fondit të Mirëbesimit, në vlerë prej 25 milionë euro, për vazhdimin e reformës shëndetësore, si dhe mbështetjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore .
Znj. Brovina dhe znj. Lang u pajtuan se të dy vendet duhet ti zhvillojnë diskutimet e nevojshme për nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shëndetësore, si dhe për pensionet e qytetarëve të cilët kane jetuar dhe ende vazhdojnë te jetojnë ne Zvicër.