Lajmet e fundit
Daut Haradinaj mori pjesë në sesionin e SEECP-it që u mbajt në Stamboll
E Mërkure, 11.02.2015
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës se Sigurisë se Kosovës, Daut Haradinaj, mori pjesë në sesionet e Komisionit të përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të cilat u mbajtën me date 9-10 shkurt 2015, në Stamboll të Turqisë.
Në këto sesione gjithashtu pjesëmarrës ishin edhe të deleguarit e Parlamentit të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe të Turqisë, kjo e fundit njëkohësisht ishte edhe nikoqire e këtyre delegacioneve.
Përkundër reagimeve paraprake të Parlamentit të Serbisë që Kosova të trajtohet si mysafirë special dhe jo si pjesëmarrëse me të drejta të barabarta, me mbështetjen e Parlamentit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Turqisë, Kosova ishte pjesëmarrëse me të drejta të barabarta si të gjithë pjesëmarrësit tjerë.
Temat që u debatuan në këto sesione ishin: bashkëpunimi parlamentar në fushën e drejtësisë, ekonomisë, luftës kundër krimit të organizuar ndërkufitar në rajon. Në takim u propozua krijimi dhe harmonizimi i legjislacionit të nevojshëm dhe marrëveshjeve rajonale që kanë për qëllim luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar , si dhe harmonizimi i tij. Gjithashtu u diskutua në mënyrë të veçantë, lufta kundër terrorizmit dhe angazhimi i shteteve për parandalimin e qytetarëve për t'iu bashkuar kësaj dukurie shqetësuese.
Një ndër sesionet e Komisionit u diskutua edhe për refugjatët e luftës, me theks të veçantë, refugjatët sirianë te cilët po strehohen dhe mbrohen nga Turqia.
Kjo temë prekëse e shoqëruar me prezantime e pamje të refugjatëve sirianë që u shfaqën nga zyrtarët e lartë të Qeverisë se Turqisë, ngjalli debat në mes të pjesëmarrësve. Shumica e pjesëmarrësve të këtij takimi e lavdëruan Qeverinë turke për menaxhimin e mirë të krizës së refugjatëve sirian, të strehuar në Turqi.
z. Daut Haradinaj, ndërkaq , duke ua rikujtuar pjesëmarrësve përjetimin e vështirë të vendit të tij të vitit 1999, kur bashkëvendësit e tij u detyruan të lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të emigrojnë, falënderoi Turqinë për ndihmën që po ju ofron refugjatëve sirianë, si dhe bëri thirrje tek të gjitha vendet që mund të kontribuojnë të ndihmojnë këta njerëz të cilët vërtetë janë duke vuajtur.
Gjatë një darke zyrtare të shtruar nga z. Ali Sahin, deputet i Kuvendit të Madh të Turqisë, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), z. Daut Haradinaj mori premtime të fuqishme për mbështetjen e vendit tonë për anëtarësim në të gjitha nismat rajonale dhe Euro Atlantike të sigurisë, mbrojtjes dhe drejtësisë.
Në ditën e dytë të punimeve, u aprovua rezoluta e përbashkët e vendeve pjesëmarrëse për bashkëpunim, me theks të veçantë në fushën e drejtësisë.