Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
E Marte, 10.02.2015
Në kuadër të vizitës në Shqipëri dhe në vazhdën e takimeve me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, sot në orët e pasdites është pritur në një takim të veçantë nga kryeministri Edi Rama.
Në këtë takim të përzemërt e miqësor, u diskutua për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe, me theks të veçantë, për realizimin e zotimeve të marra nga qeveritë respektive. U bisedua gjithashtu, për nevojën e domosdoshme të rritjes së këmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve dhe krijimin e lehtësirave të tjera me interes për iniciativën e lirë sipërmarrëse.
Kryetari Veseli falënderoi kryeministrin Rama për përkushtimin e qeverisë shqiptare që të ndihmojë në procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar.
Gjatë ditës, kreu i legjislativit të vendit u prit në një takim të veçantë në Bashkinë e Tiranës edhe nga kryetari i saj, Lulzim Basha. Kryebashkiaku Basha e informoi kryetarin Veseli me zhvillimet në Tiranë, ndërsa në cilësi të kryetarit të Partisë Demokratike, për qëndrimet e opozitës kundruall zhvillimeve që përcjellin politikën shqiptare.
Nesër, kryeparlamentari Veseli do të takohet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentët: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi. Një vizitë të veçantë, ndërkaq, do ta realizojë në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara, në Kavajë.