Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Marte, 10.02.2015
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në takimin e sotëm të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, ka diskutuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili njoftoi për gjendjen aktuale në këtë fushë.
Avokati i Popullit, Kurteshi, theksoi se ky institucion ka shtrirje në qendrat më të mëdha të Kosovës. Ai në vijim foli për numrin e ankesave të drejtuara në këtë institucion, ndërkaq, njoftoi se ankesat kanë shënuar rritje në 5 vitet e fundit. Duke paraqitur aktivitetet e institucionit që ai udhëheq, Kurteshi përmendi edhe çështjet që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor në Republikën e Kosovës. Si shqetësim ai përmendi parashkrimin e rasteve në gjyqësor, situatë kjo e cila paraqet një problem shumë të madh për stabilitetin shoqëror, gjë që ka ndikuar në zbehjen e imazhit të gjyqësorit.
Ai tha se shumë raste kanë ngelur pa u shqyrtuar fare nga gjykatat dhe janë parashkruar pas kalimit të afatit të përcaktuar. Ai po ashtu njoftoi se janë në hartim të Raportit të Punës së Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2014, i cili pritet të arrijë së shpejti në Kuvend.
Komisioni shqyrtoi edhe disa peticione për të cilat ka nxjerrë përfundimet.