Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 10.02.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, ka njoftuar për angazhimet e kësaj ministrie në përmirësimin e ambientit biznesor dhe të nxitjes së investimeve.
Ajo fillimisht tha se MTI-ja, synon që të ndalë trendin e rënies së investimeve të huaja. Për të krijuar një ambient sa më të mirë për investitorët, tha në vijim ajo, MTI-ja është duke analizuar rolin dhe kapacitetin e agjencioneve (gjashtë sosh), në kuadër të ministrisë. Ajo foli edhe për grantet e parapara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Lidhur me këtë ajo njoftoi se për këtë vit janë paraparë 18 grante për këto ndërmarrje, ndërkaq, shuma e tyre është tre milion euro. Angazhimet tona, u shpreh më tej ministrja Bajrami, janë kontaktet e vazhdueshme me të gjitha ndërmarrjet. MTI-ja, tha më pas ajo, me interes të veçantë trajton donatorët, ndërsa përmendi USAID-in, GIZ-in, UNDP-në, si dhe donatorë të tjerë të jashtëm. Ajo foli edhe për marrëveshjen e CEFT-as, për të cilën tha se ka për qëllim të avancojnë marrëveshjen me të. Synojmë që marrëveshja me CEFT-ën, përpos në qarkullimin e lirë të mallit, të bëhet edhe në shërbime të tjera, tha ajo. Ministrja po ashtu ka folur edhe për projektet e stimulimit të prodhuesve vendor, përmes skemave të garantimit të kredive nga Fondi Zhvillimor i Austrisë. Si qëllim tjetër të kësaj ministrie, e para e MTI-së, Bajrami, paraqiti edhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Për realizimin e objektivave të MTI-së, Bajrami tha se sfidë mbetet buxheti i kufizuar, ndërkaq u shpreh e bindur se heqja e taksave dhe koncentrimi më i madh në sektorin privat, do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
Në vijim, ministrja Bajrami ka folur edhe për tregun e naftës, çmimin dhe cilësinë e derivatet të saja. Lidhur me këtë, ajo tha se MTI-ja ka bërë analizimin e vazhdueshëm të çmimeve të naftës në tregun vendor. Aktualisht, tha më tej ajo, Kosova ka një treg të lirë të naftës dhe çmimet e produkteve përcaktohen nga konkurrenca në treg. Deri më tani, vijoi ajo, janë evidentuar 275 pika të shitjes së naftës, benzinës dhe gazit të lëngëzuar. Prej tyre, sqaroi ajo, 52 pika (19%) janë jashtë funksionit, ndërkaq, prej 215 pikave të shitjes, 34% e tyre nuk kanë licencë valide të ushtrimit të veprimtarisë. Ajo foli edhe për kontrollin e cilësisë, ndërsa ngriti nevojën e një laboratori mobil, për të cilin tha se së shpejti do të pajisen me të.
Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, e falënderoi ministren për paraqitjen e saj dhe e siguroi atë për mbështetje të vazhdueshme të komisionit. Anëtarët e komisionit , ndërkaq, kërkuan ngritje të kapaciteteve të MTI-së dhe një analizë edhe më të thellë për shkaqet e ngecjes së investimeve.