Lajmet e fundit
Komisioni për Arsim...vizitoi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës
E Marte, 10.02.2015
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, vizitoi sot, Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast, Komisioni kishte një takim me rektorin e këtij Universiteti, prof.dr. Ramadan Zejnullahu. Pasi përshëndeti anëtarët e Komisionit, rektori Zejnullahu i bëri një vështrim të gjerë veprimtarisë së Universitetit të Prishtinës, duke dhënë një pasqyrë shkoqitëse të numrit të studentëve, mësimdhënësve, programeve mësimore, kushteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor e shkencor, si dhe infrastrukturës universitare. Z. Zejnullahu, në frymën e një programi stabilizues në Universitet, theksoi se në UP vërehet një shpërputhje ndërmjet numrit të madh të studentëve krahasuar me numrin e mësimdhënësve. Po kështu, ai zuri në gojë edhe disa dukuri negative, kur është fjala për keqpërdorimet e bëra në lëmin e arritjeve të titujve të personelit të këtushëm akademik, vlerësimit jo përkatës të nivelit të dijes së studentëve gjatë provimeve etj.
Ndërkaq, duke folur rreth problemeve me shoqatat e luftës , rektori tha se ky problem është artificial dhe se ai gjithnjë është në favor të bashkëpunimit, porse çështja e regjistrimit të studentëve është e rregulluar me statut , ndaj me këtë çështje merret vetëm Universiteti. Në këtë vit mësimor, tha ai në vijim, janë pranuar 129 studentë,bij të dëshmorëve të rënë gjatë luftës në Kosovë.
Rektori Zejnullahu u ndal posaçërisht edhe në çështjen e cilësisë së studimeve në këtë universitet, e cila si vlerësoi ai, nuk është e kënaqshme. Shih për këtë, ai si synim parësor të të gjitha subjekteve të Universitetit të Prishtinës, përmendi nevojën që të përmirësohet cilësia e dijes, që është çështje thelbësore në UP. Ndërkaq, sa i përket pagave ai tha se ato janë më të mëdha sesa meritohen me punën që bëjnë mësimdhënësit dhe se cilësia nuk mund të përmirësohet me masa administrative. Ai foli edhe për disa parregullsi të tjera në Universitet, të cilat duhet të evitohen. Në këtë vështrim ai shtroi nevojën për një legjislacion më të precizuar e të avancuar në Universitet.
Nait Hasani dhe anëtarët e Komisionit përgëzuan punën e rektorit Zejnullahu, duke e inkurajuar atë që të vazhdojë me ngulm përpjekjet për t'u ballafaquar me sfidat aktuale, e duke u angazhuar njëkohësisht për të përmirësuar gjendjen e gjithmbarshme në Universitetin e Prishtinës.