Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 10.02.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Teuta Sahatqija, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Planit të Veprimit për MSA-në për vitin 2015.
Mirëpo, anëtarët e komisionit vendosën që këtë çështje ta diskutojnë në mbledhjen tjetër të radhës, bashkërisht me Planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i Progresit, gjatë raportimit të ministrit të Integrimeve Evropiane.
Tutje, anëtarët e komisionit formuan grupe pune për monitorimin e Ligjit Nr.04/L-218 për parandalimin dhe luftimin me trafikimin me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, si dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.
Komisioni edhe gjatë këtij takimi shprehu shqetësimin lidhur me çështjen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës. Gjatë diskutimit të tyre u theksua se Komisioni do të ftojë në vazhdimësi për raportim ministrat përkatës lidhur me masat konkrete që janë ndërmarrë për parandalimin e migrimit ilegal.