Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për punë të Jashtme
E Hënë, 09.02.2015
Me ftesë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, ka raportuar sot në Komision ministri i FSK-së, Haki Demolli.
Duke e falënderuar ministrin Demolli për përgjigjen pozitive ndaj ftesës, kryetari i Komisionit, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar si shumë të rëndësishme qasjen sektoriale ndaj misionit në ngritje të FSK-së, për transformimin e kësaj Force.
Ministri Demolli, në fjalën e tij para anëtarëve të Komisionit, është përqendruar në punët e kryera dhe aktivitetet aktuale që e presin Ministrinë e FSK-së për të ndryshuar misionin e kësaj Force. " Ministria është e gatshme të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes kurse FSK-ja të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës", ka theksuar Demolli. Ai tutje ka folur për punën e madhe dhe të palodhshme që po bëhet në Ministri dhe në vetë FSK-në për bashkëpunim të suksesshëm rajonal dhe ndërkombëtar, për anëtarësim të vendit në NATO dhe në Partneritetin për Paqe, si dhe për shkollimin profesional të kuadrit ushtarak.
Ai ka pohuar se e gjithë puna mbështetet profesionalisht nga mekanizma të fuqishëm ndërkombëtarë, si: DIRI (SHBA), Ekipi Këshilldhënës i NATO-s për FSK-në, Garda Kombëtare e Ajovës ( SHBA) dhe mekanizmat e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Demolli ka folur edhe për punën që ka bërë Ministria, të cilën e udhëheq, për hartimin e Draft-doktrinës së përgjithshme të Forcave të Armatosura të Kosovës, duke u shprehur i gatshëm edh për hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare , si dhe për inicimin e Strategjisë së Mbrojtjes.
Kryetari i Komisionit, Hoxhaj, por edhe të gjithë anëtarët e pranishëm në takim, kanë qenë shumë të interesuar për ngritjen e misionit të FSK-së dhe transformimin e kësaj Force, por edhe i kanë shtruar pyetje të shumta ministrit Dolli, si dhe komandantit të FSK-së, gjeneral, Kadri Kastrati, i cili e shoqëronte Ministrin. Pyetjet kanë konsistuar në hapat,veprimet dhe procedurat e parapara për përfundimin me sukses të transformimit, duke u zotuar se Kuvendi do ta mbështesë fuqishëm ngritjen e misionit të kësaj Force.
Demolli dhe Kastrati kanë pohuar se janë përgatitur të gjitha amendamentet kushtetues (16 sish) që mundësojnë transformimin e FSK-së, të cilat kanë marrë edhe miratimin e Gjykatës Kushtetuese e që duhet të marrin miratimin edhe të Ministrisë Financave, të asaj për Integrimeve Evropiane, duke u shprehur i bindur se kur të vijnë në Kuvend , dot ë marrin miratimin edhe të komisioneve përkatëse parlamentare . Demolli është shprehur optimist, ndërkaq, që për amendamentet e propozuara kushtetuese për transformimin e FSK-së do të sigurohen votat e mjaftueshme të deputetëve (dy të tretat e tyre), përfshirë edhe shumicën e kualifikuar të deputetëve nga radhët e bashkësive etnike joshqiptare.
Në mbledhjen e sotme të është shqyrtuar edhe Plani dhe Programi i Punës së Komisionit për vitin 2015, i cili është miratuar me pajtimin paraprak që ai të plotësohet dhe të begatohet edhe më, pasi të vijë në Kuvend Strategjia Legjislative e Qeverisë.
Komisioni e ka diskutuar edhe propozimin për formimin e ve të miqësisë, duke parë të ngutshme krijimin e Grupit të Miqësisë me Francën, atë atij me Gjermaninë, pastaj të atyre më Italinë, me Austrinë, me vendet e të BE-së, me SHBA-në, me Kanadanë, me Australinë, me Japoninë,Turqinë etj. Anëtarët e tyre do ti propozojnë grupet parlamentare, sipas afiniteteve të deputetëve nga radhët e tyre, për miratimin final të tyre do të vendosë Kryesia e Kuvendit.