Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli priti shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar
E Hënë, 09.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, me të cilin bisedoi për punën që e pret Kuvendin gjatë këtij viti dhe për zhvillimet aktuale në vend.
Temë bosht e këtij takimi ishte agjenda legjislative e Kuvendit për vitin 2015, përkatësisht ligjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli konfirmoi se Kuvendi do të përpiqet ta kryejë funksionin e tij legjislativ konform nevojave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë që lidhet me procesin e integrimit evropian, duke trajtuar me prioritet ligje e kësaj natyre. Përkitazi me këtë, kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë për ta thelluar koordinimin me mekanizmat e tjerë relevantë.
Në takim i bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë, migrimin e qytetarëve të Kosovës, për të cilin të dy bashkëbiseduesit ndanë shqetësimet e tyre.