Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli do të vizitojë Shqipërinë

E Hënë, 09.02.2015




Në kuadër të thellimit bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë, midis dy parlamenteve respektive, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, më 10 dhe 11 shkurt 2015, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite, kryeparlamentari Veseli do të ketë takime të ngjeshura me drejtuesit kryesorë institucionalë të Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të politikës shqiptare.

Agjenda e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të fillojë me takimin me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Më pas, kryetari Veseli do të pritet në takime të ndara nga presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama. Një takim të veçantë do ta zhvillojë edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Në ditën e dytë të vizitës, kryeparlamentari Veseli do të takohet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentët: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.

Kreu i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë një vizitë edhe në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara, në Kavajë.

 

 

Kryeparlamentari Veseli do të vizitojë Shqipërinë