Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 09.02.2015
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, vendosi që mbledhja e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 12 shkurt, dhe njëkohësisht, përcaktoi edhe rendin e ditës për këtë mbledhje.
Pas dy pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, deputetët do ta shqyrtojnë propozim-programin e punës së Kuvendit për vitin 2015, i hartuar në bazë të Programit Legjislativ të Qeverisë për vitin 2015, planeve të punës së komisioneve parlamentare dhe Planit të Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Në vazhdim, do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji nr. 05/L-09 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 për ndërmarrjet publike, propozimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe ai i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Kryesia e Kuvendit u njoftua dhe e mirëpriti shkresën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet të cilës ai shpreh gatishmërinë për ta njoftuar Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë.
Në këtë mbledhje Kryesia shqyrtoi edhe disa kërkesa e rekomandime. Lidhur me kërkesën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për auditimin e raporteve financiare dhe raportit të deklarimit financiar të fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, për vitet 2013 dhe 2014, Kryesia ngarkoi aministratën e Kuvendit që konform Ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndërmarrë veprimet e nevojshme, për të bërë thirrje të hapur për aplikim, për përzgjedhjen e së paku 10 auditorëve të licencuar.
Kryesia miratoi edhe rekomandimin e po të njëjtit komision, lidhur me kërkesën e Bankës Qendrore për aprovimin e Auditorit të jashtëm për auditimin e BQK-së, për periudhën 2014-2016, si dhe autorizoi administratën e Kuvendit që të bëjë përzgjedhjen e kompanisë audituese për auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2014.
Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe disa kërkesa e rekomandime të tjera, si dhe diskutoi për çështje nga fushëveprimtaria e saj.