Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi drejtuesit e komisioneve parlamentare
E Premte, 06.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur sot takimin e parë me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve parlamentare, për të shoshitur aspekte të organizimit dhe funksionimit sa më të mirë të komisioneve, në funksion të shtimit të efikasitetit të punës së legjislativit të vendit. Ai, ndërkaq, është zotuar se takime të tilla do të organizojë në intervale të rregullta kohore, së paku një herë në muaj.
Duke i përgëzuar për punën që bëjnë në krye të komisioneve parlamentare, z. Veseli ka theksuar se seancat plenare të Kuvendit janë vetëm kurorëzimi i dukshëm i punës së gjatë dhe të mundimshme të deputetëve, si anëtarë të Komisioneve parlamentare. Ai ka kërkuar që të ngritet aspekti mbikëqyrës i Kuvendit, sidomos monitorimi i zbatimit të ligjeve. " Kuvendi i Kosovës ka miratuar një varg ligjesh të mira, në interes të qytetarëve, por jo çdoherë ata janë të informuar mirë për të drejtat që ua garanton ligji përkatës", është shprehur kreu i Kuvendit. Prandaj ai është angazhuar për më shumë transparencë të mekanizmave të Kuvendit, si për shembull, kontaktet më të shpeshta me qytetarë për të diskutuar për ligjet e miratuara dhe ato në procedurë transmetimin on-line edhe të mbledhjeve të komisioneve, etj.
Veseli, ndërkaq, ka kërkuar që të vihet rregull në funksionimin e agjencive të pavarura që i përgjigjen Kuvendit.
Drejtuesit e komisioneve parlamentare kanë raportuar pastaj për punët e planifikuara dhe ato ditore që i kryejnë, duke u përqendruar në plan-programet e punës që kanë hartuar dhe miratuar, për numrin në rritje të ligjeve që monitorojnë dhe vizitat që do të bëjnë në terren. Ata kanë theksuar edhe vështirësitë e përditshme të punës, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe stafin e pakt profesional që i mbështet. Shumica prej tyre, ndërkaq, kanë ngritur nevojën që të precizohen rregullat për funksionimin dhe raportimin e agjencive të pavarura që i raportojnë Kuvendit. Është kërkuar shprehimisht që të reduktohet numri enorm i këtyre agjencive, si dhe është mbështetur ideja që në rastet kur dy herë radhazi nuk kalon në Kuvend raporti i punës së agjencisë së dhënë, atëherë në mënyrë automatike të shkarkohet bordi drejtues i agjencisë, si dhe drejtori ekzekutiv i saj.
Pjesëmarrësit në takim kanë vlerësuar si shumë të ngutshme nevojën e miratimit të Ligjit për Kuvendin, të Ligjit për transformimin e FSK-së në Forcën Mbrojtëse të Kosovës, të Ligjit për digjitalizimin e transmetuesve televiziv në Kosovë etj. Nga Qeveria dhe ministritë e saj kanë kërkuar,ndërkaq, që të sjellin në afatet kohore të parapara ligjet e planifikuara në agjendën legjislative, e të mos i grumbullojnë në fund të vitit a të mandatit.
Duke e përmbyllur takimin, kryeparlamentari Veseli ka vlerësuar se shumica e këtyre rekomandimeve mund të zbatohen lehtësisht nga vetë deputetët dhe mekanizmat e Kuvendit të Kosovës. Ai më këtë rast është zotuar se do të përpiqet për sa më shumë punë profesionale në Kuvend, për kushte sa më të mira për punën e deputetëve, si dhe për lartësimin e dinjitetit të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.