Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Premte, 06.02.2015




Thellimi i bashkëpunimit të ndërsjellë të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile ishte temë thelbësore e takimit të sotëm të këtij Komisioni, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Duke hapur këtë takim, z. Zenun Pajaziti theksoi se qëllim i këtij Komisioni është prezantimi i planit të punës së tij, si dhe kërkimi i mbështetjes në realizimin e këtyre planeve edhe nga ana e shoqërisë civile. Gjithë kjo bëhet edhe në bazë të Deklaratës së legjislaturës së kaluar të Kuvendit për mënyrat e bashkëpunimit dhe transparencës. Komisioni angazhohet, tha Pajaziti, për një bashkëpunim sa më cilësor.


Në debatin e gjerë, në të cilin morën pjesë Driton Selmanaj,Arben Ahmeti, Driton Abazi, Alma Lama,Xhevahire Izmaku,Shqipe Pantina, Visar Rushiti, Shqipe Arifaj e Sllavko Trajkoviq, u ravijëzuan disa nga segmentet më të rëndësishme të bashkëpunimit. U theksua se është i nevojshëm një nivel më i lartë bashkëpunimi e partneriteti, sidomos në fazën e hulumtimeve,shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjeve, madje për disa projektligje që në zanafillë. Diskutuesit ishin të pajtimit se në mes komisioneve të Kuvendit dhe shoqërisë civile ekziston një bashkëpunim shumë i mirë që prej kohësh, por se ky bashkëpunim mund të begatohet edhe më. Për këtë është premtues edhe takimi i sotëm, u tha gjatë debatit.

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media