Lajmet e fundit
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, u takua me përfaqësues të shoqërisë civile
E Premte, 06.02.2015
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, pati sot takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Diskutues në këtë takim nga shoqëria civile ishin: Behxhet Shala (KMDLNJ), Avni Bytyçi (GLPS), Driton Selmanaj (KDI), Shefki Kastrati (NDI), Arton Demhasaj (Çohu), Betim Musliu (IKD), si dhe Teuta Pireva Ajazaj, (CRPIK).
Temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte bashkëpunimi i ardhshëm i komisionit me shoqërinë civile me qëllim të rritjes së transparencës, si dhe ngritjes së efikasitetit të punës së Komisionit.
Pasi përfaqësues të shoqërisë civile paraqitën prioritetet e organizatave të tyre, si dhe asistencën që ata mund të ofrojnë në punën e komisionit, kërkuan që disa nga çështjet që u ngritën të adresohen në Planin e Punës së Komisionit gjatë këtij viti. Madje, ata gjatë këtij takimi njëzëri sugjeruan që të ketë përmirësim të cilësisë së ligjeve.
"Shoqëria civile nuk duhet shikuar nga ligjvënësit si kundërshtar, por si bashkëpunues të Kuvendit", theksuan disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile. Ndërkaq, u kërkua që amendamentet e propozuara nga shoqëria civile për ligje të caktuara të merren parasysh nga anëtarët e komisionit.
Monitorimi i institucioneve publike në fushën e drejtësisë, ishte një çështje tjetër që u ngrit nga të pranishmit, që në fokus kishin Këshillin Gjyqësor, si dhe atë Prokurorial.
U tha po ashtu se duhet të ndryshohet arkitektura ligjore për sistemin e drejtësisë.
Anëtarë të komisionit gjatë diskutimeve të tyre vlerësuan se thellimi i bashkëpunimit mes tyre do të sjellë rezultate konkrete. "Në rast se do të ketë bashkëpunim të mirëfilltë edhe ligjet do të jenë më cilësore", theksuan ata. Ndërkaq, sa u përket amendamenteve të propozuara për ligje të caktuara, përfaqësuesve të shoqërisë civile u krijohet mundësia që propozimet e tyre t'i paraqesin në grupet e punës së komisionit.