Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 05.02.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, filloi punimet e seancës së sotme me pikat e rëndomta: diskutime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Deputetët ngritën çështje të ndryshme lidhur me zhvillimet aktuale në vend, sidomos për migrimet ilegale të qytetarëve, ndërkaq pyetjeve të tyre iu përgjigjën ministrat: Imet Rrahmani, Arban Abrashi, Ferid Agani dhe Skënder Hyseni.
Kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se është bërë zëvendësimi i deputetit Jakup Krasniqi, me deputetin Enver Hoti (Grupi Parlamentar Nisma), të cilit iu kërkua të nënshkruajë betimin.
Seanca vazhdoi me interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së, për përgjegjësinë e ministrit Aleksandër Jabllanoviq për deklaratat e tij publike.
Në cilësi të propozuesit të kërkesës, kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, dha një kronologji të zhvillimeve lidhur me këtë kërkesë për interpelancë, në të cilën, sipas saj, rekomandim i vetëm ishte shkarkimi i ministrit Jabllanoviq. Ndërkaq, duke folur për shkarkimin e tij nga ana e kryeministrit, ajo tha se ky vendim, edhe pse i duhur, është i vonuar dhe erdhi pas presioneve të ndryshme. Në vazhdim ajo shtroi disa pyetje në adresë të kryeministrit Mustafa dhe potencoi nevojën e procedimit në Kuvend të Ligjit për Trepçën.
Pas kësaj, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, bëri me dije se pas shkarkimit të ministrit Jabllanoviq, kjo pikë ka mbetur pa objekt diskutimi dhe se interpelanca duhet të tërhiqet. Duke konfirmuar mbështetjen e grupit të tij parlamentar për vendimin e kryeministrit, Beqiri tha se nuk ka arsye që ai të jetë sot në seancë.
Deputeti Elmi Reçica, duke prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se ajo që është kërkuar nëpërmjet kësaj interpelance, fatmirësisht ka ndodhur dhe se grupi mbështet tërheqjen e kësaj pike. Ai kërkoi nga ministrat e Qeverisë së Kosovës që të jenë koshientë, të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, foli lidhur me paralajmërimet për takimin në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Ai kërkoi që para këtij takimi, kryeministri Mustafa të vijë në Kuvend dhe t'i njoftojë deputetët për temat që do t'i ngritë në bisedime, në mënyrë që këta të fundit të mos njihen nga mediat lidhur me rezultatet e takimeve.
Duke u kthyer në pikën për interpelancë, deputeti Zafir Berisha, në emër të Grupit Parlamentar të Nismës, tha se kjo çështje është konsumuar, ndërsa vendimi për shkarkimin e ministrit, sipas tij, nuk është i kryeministrit Mustafa, por i qytetarëve.
Me kërkesë të kryesuesit të seancës, nënkryetarit Xhavit Haliti, për sqarim nëse kërkesa për interpelancë është tërhequr ose jo, deputetja Donika Kadaj - Bujupi bëri të ditur se kërkesa nuk do të tërhiqet. Ajo këtë e arsyetoi me mungesën e kryeministrit Mustafa në seancë, i cili, sipas saj, do të duhej t'u përgjigjej pyetjeve të ngritura.
Në reagimin e tij, Ismet Beqiri përsëriti se kanë pushuar arsyet e një diskutimi të tillë dhe se ligjërisht debati nuk mund të zhvillohet.
Në këtë situatë, nënkryetari Haliti tha se nuk ka kërkesë për tërheqje të pikës së rendit të ditës, duke dhënë pushimin e drekës.
Në pjesën e dytë të seancës, në emër të GP të AAK-së, deputeti Daut Haradinaj njoftoi për tërheqjen e kërkesës për interpelancë.
Në këtë mbledhje u formua Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media dhe u përkrah propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për emërimin e anëtarit në komisionin parlamentar.
Për propozimin e Grupit Parlamentar të Listës serbe për zëvendësimin e anëtarit në komisionin parlamentar, ndërkaq, nuk pati kuorum për vendimmarrje.
Me konsensusin e GP të PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, me 69 për, 2 kundër dhe dy 2 abstenime, Kuvendi miratoi Rezolutën për pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, të cilën e prezantoi kryetarja e GP të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, me këtë përmbajtje:
X Angazhim më i madh i Qeverisë së Republikës së Kosovës në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë në shtimin e vendeve të reja të punës për qytetarët e Kosovës
X Krijimi i fondit për pengimin e migrimit ilegal
X Ndryshimi i politikave fiskale në përputhshmëri të plotë me kërkesat e kamotshme të bizneseve dhe lirimi i lëndës së parë nga taksa doganore dhe pagesa e brendshme e TVSH-së jo në kufi ende pa filluar përpunimi i mallit, ashtu që të rritet konkurrenca e prodhimeve vendore kundrejt atyre të importuara, me ç‘rast do të shtohen vendet e punës.
X Krijimi i menjëhershëm i lehtësirave doganore në përputhshmëri me rekomandimet e komisionit Evropian të datës 22 tetor 2014 nga RAPORTI FINAL në Përkrahje për Bordin e Pavarur të Kosovës për Shqyrtime në fushën e doganave dhe akcizave. Gjithashtu duhet të anulohet menjëherë udhëzimi administrativ për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit të mallrave të importuara i cili udhëzim është në kundërshtim të plotë me ekonominë e tregut.
X Krijimi i menjëhershëm i lehtësirave doganore, tatimore dhe administrative për të gjithë ata të cilët hapin më tepër se 10 vende të reja të punës;
X Lirimi nga taksa dhe nga TVSH e të gjithë makinerive apo pajisjeve apo pjesëve rezervë të cilat janë të dedikuara për prodhim ose përpunim të ndryshëm në Kosovë.
X Lirimi nga taksa doganore i kompjuterëve, POS terminaleve (point of sale ) pajisjeve dhe arkave fiskale, ashtu që shkollat dhe bizneset të mund të pajisen me këto pajisje që të ngritet efektshmëria në studim dhe punë.
X Subvencione reale, jo vetëm fjalë elektorale për të gjithë prodhuesit vendorë ose të interesuarit për të hapur binznese të reja në agrokulturë.
X Angazhimi i Qeverisë dhe Ministrisë për punë dhe Mirqenie Sociale për arritjen e marrëveshjeve me shtete të Evropës për punësim sezonal të qytetarëve tonë.
X Raportim çdo tre muaj në komisionet parlamentare nga ministrat përkatës.
X Ministria e Punëve të Brendshme dhe policia të obligohen të jenë aktivë dhe të veprojnë në ndalimin e rrjeteve kriminale të trafikimit.
X Gjyqësori të zgjidhë rastet e trafikimeve në procedurë të përshpejtuar.
X Ministria e Integrimeve të intensifikojë fushatën vetëdijesuese rreth informimit të qytetarëve lidhur me migrimin ilegal, kërkimin e azilit dhe mundësitë e marrjes së vizave.
X Qeveria të punojë në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, si mjet për pamundësimin e funksionimit të rrjetit të trafikantëve.
X Qeveria të angazhohet për krijimin e kushteve e lehtësirave për biznese, si dhe për hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë dhe marrëveshjet ndërshtetërore për punësim përmes migrimit të kontrolluar legal të fuqisë së kualifikuar punëtore.
X Të vazhdojë procesin e riatdhesimit të koordinuar me shtete në të cilat kanë emigruar qytetarët e Kosovës.