Lajmet e fundit

Komisioni për Media... dhe INDEP mbajtën një tryezë me temë “Korniza ligjore që determinon lirinë e shprehjes në Kosovë”

E Mërkure, 04.02.2015




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore - INDEP, organizoi sot një tryezë diskutimi me temë: "Korniza ligjore që determinon lirinë e shprehjes në Kosovë". Pasi përshëndeti të pranishmit dhe organizatorin, z. Pajaziti theksoi se është me interes të kemi një pasqyrë për median dhe lirinë e shprehjes, duke ditur se liria e shprehjes në Kosovë, në listën e shteteve rajonale , vlerësohet si jo e mirë, ndaj është koha të merren masa për të pasur një kornizë ligjore sa më të mirë, sa i përket, lirisë së shprehjes, si dhe ushtrimit të profesionit nga ana e gazetarëve. Si Komision, theksoi Zenun Pajaziti,do të përballemi me këto sfida , si dhe me nevojat për avancimin e medias edhe në fushën e ligjeve përkatëse.


Duke prezantuar punimin "Liria e shprehjes dhe e ushtrimit të profesionit të gazetarit në Kosovë", hartuar nga Instituti për Politika Zhvillimore - INDEP, Dardan Abazi në fillim përmendi shqetësimin që ka ngjallur Projektligji për përgjimet, i cila para do kohe u shqyrtua në Kuvendin e Kosovës, që ka ngjashmëri edhe me Ligjin për shprehjen e lirë. Vetë trajtimi i lirisë së shprehjes, theksoi ai, është çështje shumë sensitive.

Si në fjalët hyrëse , ashtu edhe në debatin që pasoi, në të cilin morën pjesë edhe Arben Hajredinaj,Sadri Ferati, Shqipe Pantina,Burim Ejupi, Bajrush Morina etj. u tha se sa i përket kuadrit ligjor nga lëmi i lirisë së mediave, Kosova qëndron mirë në Rajon dhe më gjerë, madje ajo ka legjislacion të avancuar edhe në mbrojtjen e burimeve të gazetarit, mirëpo çështje është krijimi i mekanizmave implementues për zbatimin e ligjeve përkatëse. Ndërkaq, është i nevojshëm profesionalizmi dhe vullneti për të plasuar të vërtetën në media, që në disa raste lë shumë për të dëshiruar. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në çështjen e shpifjes, duke ditur se gjykatat përgjithësisht zvarrisin lëndët , si edhe në lëmenjtë tjerë, ndërkaq të apostrofuarit po heqin pasojat, të cilat nuk mund të kompensohen me gjoba në para. Në debat kishte angazhime edhe për zgjidhjen e çështjes së financimit të transmetuesit publik-RTK-ës.


Tryeza u mbajt në kuadër të aktiviteteve të Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, me qëllim të identifikimit të sfidave ligjore që karakterizojnë mediat në Kosovë.

 

 

Komisioni për Media... dhe INDEP mbajtën një tryezë me temë “Korniza ligjore që determinon lirinë e shprehjes në Kosovë”