Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik..

E Mërkure, 04.02.2015




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt shqyrtoi në parim Projektligjin Nr.05/L-09 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Zhvillimit ekonomik, Blerand Stavileci.

Kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, tha se sjellja me procedurë nga ana Qeverisë në Kuvend e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike është mjaft e rëndësishme në aspektin zhvillimit ekonomik. Ai fillimisht kërkoi sqarime për disa nene të cilat ngrenë çështje që janë të diskutueshme, e posaçërisht për nenin 3, paragrafi 11.3, lidhur me regjistrimin e ndërmarrje publike që thuhet se duhet të bëhet në marrëveshje me komunat në territorin e të cilave gjenden ato ndërmarrje. Njësoj thuhet edhe për njësi të caktuara organizative të ndërmarrjes shoqërore, të cilat janë objekt i regjistrimit si ndërmarrje publike. Prandaj ai ka kërkuar sqarime se cili është rroli i komunave në ketë resat, si dhe për kreditoret e mundshëm lidhur me ndërmarrjen shoqërore "Trepça". Ai vuri në pah se gjatë shqyrtimit në grupin e punës, gjatë periudhës dymujore, Projektligji do të shqyrtohet nen për nen, nga grupi punues i cili është themeluar në vazhdim të mbledhjes së Komisionit (Muhamet Mustafa-kryesues,Visar Ymeri, Sasha Milosavljeviq dhe Sala Berisha-Shala - anëtarë)

Blerand Stavileci, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), paraqiti arsyetimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, Ai tha se Çështjet kryesore të trajtuara në këtë projektligj kanë të bëjnë me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, dhe krijimin e bazës juridike që me vendim të Kuvendit të Kosovës të hiqen nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ndërmarrje të caktuara shoqërore ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore dhe këto të regjistrohen si ndërmarrje publike. Ai theksoi se arsyeja pse kemi ndërmarrë ndryshimin dhe plotësimin e këtij projektligji është që të hapim rrugë krijimit të ndërmarrjeve të reja që kanë të bëjnë interesat përgjithshme të publikut, e në veçanti për t'i shërbyer zhvillimit ekonomik të qytetarëve. Lidhur me nenin 3, paragrafin 11.3, të PL, ka theksuar se komunat kanë nevoja të ngutshme për më shumë hapësirë për bashkëpunim të nivelit qendror më atë komunal, për çështjet që kane të bëjnë më interesat e qytetareve. dhe projektligji trajton vetë aspekte zhvillimore dhe jo aso politike. Ndërsa për ndërmarrjen shoqërore "Trepça" ai ceku se pas miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit, për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, dhe zgjatjes së afatit për likuidim të ndërmarrjes shoqërore "Trepça" tani kemi kohë të arsyeshme për të marrë hapa të domosdoshëm për hartimin e Ligjit të veçantë për "Trepçën".

Edhe anëtaret e tjerë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, diskutuan dhe ngritën dilema lidhur më nenin 3 të paragrafit 11.3 që ka të bëjë me Regjistrimin e ndërmarrje publike, në marrëveshje me komunat në territorin e të cilat gjenden ato ndërmarrje, ose njësi të caktuara organizative të ndërmarrjes shoqërore, të cilat janë objekt i regjistrimit si ndërmarrje publike. Ata kërkuan që gjatë shqyrtimit të Projektligjit Nr.05/L-09 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, nga grupi i punës të riformulohet neni 3 i paragrafit 11.3, ndërsa për nenet e tjera të nxjerren amendamentet e nevojshme.
Në përfundim të takimit Projektligji është miratuar në parim me shumicë votash të anëtarëve të Komisionit.

 

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik..