Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi drejtuesit e Qendrës së Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura
E Marte, 03.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, ka takuar sot drejtuesit e Qendrës së Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura, z. Darko Stancic, znj. Antje Fritz, z. Andrej Rupnik dhe znj. Luanda Domi.
Kryetari Veseli u njoh nga drejtuesit e kësaj qendre me aktivitetet që ajo ofron në ndërtimin e kapaciteteve dhe mbështetje me këshilla për komisionet e përzgjedhura të Kuvendit të Kosovës, me fokus: Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atë për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, si dhe komisionet tjera të Kuvendit që kanë interes në çështjet e politikave të sigurisë.
DCAF mbështet ndërtimin e kapaciteteve për komisionet e Kuvendit përmes transferimit të njohurive, shkëmbimin e përvojave dhe këmbimit të ekspertëve, për të përmirësuar angazhimin e tyre në procesin legjislativ, në procesin e monitorimit të zbatimit të ligjit për sigurinë, përmirësimin e përdorimit të mjeteve të mbikëqyrjes, në mbështetjen e komisioneve për siguri dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet komisioneve të fushës së sigurisë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i falënderoi drejtuesit e organizatës DCAF për angazhimin e deritashëm dhe bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, duke ofruar mbështetje të plotë institucionale për vazhdimin e aktiviteteve në forcimin e kapaciteteve të komisioneve të Kuvendit të Kosovës, për mbikëqyrje të sektorit të sigurisë në Kosovë.