Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli bëri homazhe në Ambasadën e Gjermanisë
E Marte, 03.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, vizitoi sot Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, bëri homazhe dhe u nënshkrua në librin e ngushëllimeve, me rastin e vdekjes së ish-presidentit federal gjerman, Richard von Weizsäcker.
"Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllime Republikës Federale të Gjermanisë, për vdekjen e Richard von Weizsäcker, ish-president i saj. Presidenti Weizsäcker shërbeu në një kohë dramatike për Evropën dhe Gjermaninë. Rënia e Murit të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë, fundi i diktaturave komuniste, ishin triumf përfundimtar i lirisë në Evropë dhe më gjerë. Kontributi i presidentit Weizsäcker në këtë triumf ka qenë i jashtëzakonshëm", shkroi kryeparlamentari Veseli në librin e ngushëllimeve.