Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli priti ministrin shqiptar të Drejtësisë, Nasip Naço

E Hënë, 02.02.2015




Shfrytëzimi i hapësirave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe këmbimi i përvojave në fusha të ndryshme, me theks të veçantë, në atë parlamentare dhe të integrimeve evropiane, ishin tema bosht të takimit të sotëm ndërmjet kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli dhe ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë, z. Nasip Naço.

Kryetari Veseli i konsideroi të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në rrafshin parlamentar, por shtroi nevojën e shfrytëzimit të hapësirave për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushat e tjera. Kryetari i Kuvendit tha se vizitat e ndërsjella të delegacioneve të ndryshme të kuvendeve respektive janë të shpeshta dhe kontribuojnë në këmbimin e përvojave. Veseli e konsideroi të çmuar për Kosovën përvojën e Shqipërisë në procesin e integrimeve evropiane dhe shtroi nevojën e intensifikimit të përpjekjeve të të dyja vendeve për t'iu bashkuar sa më shpejtë familjes së madhe evropiane.

Kreu i legjislativit të vendit e njoftoi ministrin shqiptar edhe me agjendën e Kuvendit të Kosovës dhe ligjet me prioritet të cilat presin shqyrtimin dhe miratimin në Kuvend.

Duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, ministri Naço, nga ana e tij, vlerësoi lart frytet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e shtetit shqiptar për t'i vënë në dispozicion të Kosovës të gjitha përvojat politike të tij.

Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë, si dhe u shqyrtuan mundësitë e përafrimit të mëtejmë të të dyja vendeve, në të gjithë lëmenjtë.

 

Kryeparlamentari Veseli priti ministrin shqiptar të Drejtësisë, Nasip NaçoKryeparlamentari Veseli priti ministrin shqiptar të Drejtësisë, Nasip Naço