Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri, dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Hënë, 02.02.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, lidhur me protestat e 27 janarit, si dhe për rastin e shtetasit serb, Sllobodan Gavriq, në veturën e të cilit janë gjetur 12.2 kilogramë eksploziv në Prishtinë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, lidhur me rastin Gavriq, vlerësoi se është konstatuar se në këtë rast ka pasur një dështim nga ana e policisë kufitare, ndërkaq sqaroi se për këtë çështje janë suspenduar katër oficerë policie në Jarinje dhe se ndaj tyre janë duke u zhvilluar procedurat, ndërsa qytetarit serb i është vazhduar paraburgimi edhe 60 ditë të tjera.
Ndërkaq, lidhur me protestat e 27 janarit ministri Hyseni tha se organizatorët e këtyre protestave nuk e kanë lajmëruar protestën në Policinë e Kosovës, sikurse është e përcaktuar me ligj. Megjithatë, shtoi Hyseni, PK-ja ka bërë punën e duhur. PK-ja ka bërë përgatitjet e duhura edhe për protestat e ditës së mërkurë, për të siguruar një ambient të përshtatshëm dhe të qetë.
"E drejta për protesta politike nuk mohohet, përkundrazi, mendoj se edhe protesta me motive të pastra politike është më se e drejtë", tha ministri Hyseni, ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit Hyseni tha: "Garantoj se më parë do të kërkoja azil në Siberi se që do t'i jepja urdhëra politike Policisë. I besoj plotësisht profesionalizmit dhe nuk do ta ngatërroj politikën në detyrat e Policisë", tha Hyseni, duke shtuar se vlerësimet që janë duke u zhvilluar do të japin përgjegjje nëse ka pasur dhunë joracionale nga policia.
Anëtari i Komisionit, Zafir Berisha, tha se Policia e Kosovës nuk ka qenë në krye të detyrës dhe se mos ndërhyrja e PK-së gjatë protestës së parë ka qenë me qëllim të prishjes së imazhit të protestave, ndërsa për protestat e fundit ai tha se dhuna e policisë e ka acaruar situatën. Tutje ai kërkoi sqarime nëse janë ndërmarrë masa ndaj atyre zyrtatëve të policisë, të cilët kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Anton Çuni, fillimisht vlerësoi së është ushtruar dhunë edhe nga protestuesit, edhe nga PK-ja, ndërkaq përmendi edhe përdorimin e koktej molotovit nga ana e protestuesve. Më tej ai kërkoi sqarime nëse PK-ja ka arritur që të identifikojë grupet e caktuara me maska të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të PK-së. Çuni mes tjerash tha se edhe PK-ja ka kaluar autorizimet e veta dhe kjo, shtoi ai, është e papranueshme.
Me këtë rast, diskutuan dhe kërkuan sqarime nga ministri Hyseni edhe Nuredin Ibishi, Bojan Mitiq dhe Çerim Bajrami. Ibishi tha se mosrespektimi i ligjit gjeneron me pasoja të mëdha dhe kjo ndodhi gjatë protestave të fundit. Anëtarja e Komisionit Ganimete Musliu, gjatë diskutimit të saj, kërkoi sqarime lidhur me masat e ndërmarra për protestën e radhës, ndërkaq Fadil Demaku vlerësoi se nuk guxon të lejohet fakti që situata të dalë jashtë kontrollit dhe se institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi . "Të gjitha palët e përfshira në zhvillimet e fundit duhet të jenë përgjegjëss për atë që ndodh", tha Demaku.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, kërkoi sqarime për largimin e foltores dhe për sulmet që janë bërë nga ana e Policisë ndaj qytetarëve dhe protestuesve.
"Pse janë rrahur dhe arrestuar persona të cilët kanë qenë të ulur në tokë? Pse është përdorur sprej- lotesjellës ndaj tyre?", pyeti ministrin Hyseni dhe drejtorin e PK-së, deputeti Haskuka, duke shtuar se edhe ndaj deputetëve është gjuajtur sprej lotësjellës, ndërkaq kërkoi sqarime nëse është hapur ndonjë rast për ata policë, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Krejtësisht në fund, fjalën e mori kryetari I Komisionit, Daut Haradinaj. Me këtë rast ai tha skenat e dhunës e dëmtojnë imazhin e vendit dhe sheshi në të cilin është protestuar është i qytetarëve, ndërsa shtoi se përdorimi i forcës joracionale mbi qytetarët është i papranueshëm. "Në rast se qytetari bën gabime, policia duhet të ndërmarrë masa, por assesi polici të bëjë gabime. Policia ka tejkaluar përgjegjësinë e vet", tha Haradinaj, duke kërkuar sqarime të shumta nga ministri Hyseni, me theks të veçantë për gjuajtjen nga ana e policisë me plumba gome.
Në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, është përgjigjur edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Mes tjerash Maxhuni, ka sqaruar se PK-ja ka kërkuar të takohet me organizatorë të protestave, të cilat pritet të mbahen më 4 shkurt, në mënyrë që t'i kenë më të qarta veprimet, të cilat do të ndërmirren gjatë këtyre protestave. "Të gjithë protestuesit e dhunshëm do të trajtohen sipas procedurave ligjore. Përkundër dhunës së protestuesve, policia ka arritur ta ruajë gjakftohtësinë dhe të përmbahet maksimalisht kundruall synimeve, tendencave dhe veprimeve të dhunshme", tha mes tjerash Maxhuni

Pas shterimit të kësaj çështje, anëtarë të Komisionit kanë shqyrtuar dhe miratuar Planin e Punës së Komisionit për vitin 2015.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri, dhe Mbikëqyrje të FSK-së