Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli priti ambasadorin e Malit të Zi, Radovan Miljaniq

E Hënë, 02.02.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljaniq, gjatë të cilit u diskutua lidhur me tema të interesit reciprok të të dyja vendeve dhe parlamenteve të tyre.

Ambasadori malazez i përcolli kryeparlamentarit Veseli përshëndetjet e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Krivokapiq dhe presidentit Vujanoviq, të cilët konfirmojnë gatishmërinë e shtetit malazez për thellimin e bashkëpunimit e të raporteve fqinjësore, me interes për të dyja vendet.

Kryetari Veseli vlerësoi lart bashkëpunimin e deritashëm që Prishtina dhe Podgorica kanë kultivuar ndërmjet tyre në shumë fusha, ndërsa potencoi pritjet e tij që ky bashkëpunim në rrafshin parlamentar të avancohet edhe më tej. Në këtë drejtim, kryeparlamentari Veseli shprehu besimin se këmbimet vizitave të komisioneve të ndryshme parlamentare si dhe vizitat e kryetarëve të parlamenteve në kryeqendrat respektive, do të ishin në funksion të këmbimit të përvojave dhe begatonin agjendat kuvendore në rrugën e integrimeve evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se pakicat respektive duhet të jenë të integruara në shtetet përkatëse dhe njëherësh të shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve.

 

Kryeparlamentari Veseli priti ambasadorin e Malit të Zi, Radovan Miljaniq