Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 02.02.2015
Të enjten, në orën 10:00, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, do të paraqitet në interpelancë para Kuvendit lidhur me për përgjegjësinë e ministrit Aleksandër Jabllanoviq për deklaratat e tij publike, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Në këtë seancë do të hidhet në votim edhe projekt-rezoluta për pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, ndërsa do të shqyrtohen tri propozime: propozimi për formimin e komisionit ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për emërimin e anëtarit në komisionin parlamentar dhe ai i Grupit Parlamentar të Listës serbe për zëvendësimin e anëtarit në komisionin parlamentar.
Seanca do të fillojë me pikat e zakonshme të rendit të ditës: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe një kërkesë për vizitë jashtë vendit.