Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

E Premte, 30.01.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, u diskutua rreth procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit lidhur me këtë çështje, kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, propozoi që kjo çështje të bëhet nëpërmjet një konkursi publik, ndërkaq anëtarët e tjerë propozuan që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës të sjellë brenda një jave listën e plotë të gjyqtarëve, të cilët nuk janë nën hetime.
Me shumicë votash u mbështetë propozimi i dytë.

Më tej, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu me disa plotësime edhe Planin e Punës për vitin 2015, si dhe përkrahu për procedim në mbledhje të Kuvendit propozimet për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësorë të Kosovës.

Mbështetje unanime Komisioni i dha edhe kërkesës së organizatës "Çohu", e cila ka kërkuar nga komisioni që në përputhje me Ligjin për Agjencinë Antikorrupsion, të kërkojë nga AKK-ja formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë të AKK-së, për vitin 2013 dhe atë 2014. Me këtë rast, Komisioni u dakordua që përmes një shkrese të kërkojnë këta formularë nga AKK-ja.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit