Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi drejtuesit e Caritas Kosova
E Premte, 30.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kasdri Veseli, takoi sot drejtuesin e Caritas Kosova, Don Viktor Sopi, me bashkëpunëtorë.
Në takim u bisedua për misionin e Caritas-it në Kosovë, me vizionin e kësaj organizate humanitare me qëllim të promovimit të vlerave të përgjithshme universale, përmirësimin e kushteve të jetës ekonomike e sociale të shoqërisë kosovare, si dhe përfshirjen sociale, duke u përkushtuar kryesisht ndaj njerëzve në nevojë dhe atyre të margjinalizuar.
U përmendën, ndërkaq, edhe projektet e shumta të realizuara nga kjo organizatë.
Z. Veseli përgëzoi Don Viktor Sopin për përkushtimin e dëshmuar në përmbushjen e misionit të organizatës humanitare Caritas, duke theksuar se promovimi i solidaritetit, mirëkuptimit dhe dashurisë ndaj njëri tjetrit, pa dallim, është mision shumë fisnik, andaj çdonjëri nga ne ka obligim të kontribuojë në këtë drejtim.
"Askush më mirë se populli i Kosovës nuk e njeh fuqinë e solidaritetit njerëzor, fuqinë e humanizmit i cili qëndron në themel të punës së Caritas Kosova dhe shoqatave simotra të saj në gjithë botën", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se një pjesë e qytetarëve në Kosovë ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje, jo vetëm nëpërmjet institucioneve shtetërore, por edhe donatorëve, vullnetarëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë.