Lajmet e fundit
Një delegacion i Kuvendit po merr pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të AP-së të Këshillit të Evropës
E Enjte, 29.01.2015
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga deputetët: Enver Hoxhaj, Teuta Sahatqija dhe Glauk Konjufca, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg të Francës, të cilat kanë filluar më 26 janar dhe do të zgjasin deri më 30 janar 2015.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pjesëmarrjes në punimet e sesionit, ka marrë pjesë edhe në mbledhje të komisioneve parlamentare të Këshillit të Evropës, siç ishte ajo e Komisionit për Çështje Politike të AP të Këshillit të Evropës, në të cilën në rend dite ishte tema: "Situata në Kosovë dhe Roli i Këshillit të Evropës me raportues Agustin Conde nga Spanja".
Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu pakënaqësinë lidhur me prezantimin e anëtares së delegacionit të Serbisë, znj. Obradovic, në emër të Atit Sava nga Manastiri i Deçanit, i cili ishte ftuar po ashtu të merrte pjesë.
"Kosova së fundi është fokusuar në ndërtimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe për këtë është model i krijimit të një shteti multietnik", ka thënë Hoxhaj në reagimin e tij. Ai ka folur për progresin e Kosovës në aspektin e njohjes ndërkombëtare të saj, si dhe për anëtarësimin në rreth 40 organizata ndërkombëtare. Hoxhaj kërkoi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës për anëtarësimin në këtë organizatë, në mënyrë që të drejtat e njeriut të promovohen edhe më shumë duke përdorur bazat dhe instrumentet e kësaj organizate në mënyrën e duhur. Kryetari i komisionit, Hoxhaj, theksoi gjithashtu, se dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy shteteve.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se pas negociatave të Brukselit, Serbia e ka centralizuar përfaqësimin politik serb brenda Kosovës përmes Listës Serbe, dhe si pasojë e kësaj, e ka rritur edhe më shumë kontrollin ndaj territoreve të banuara me serbë në Kosovë.
"Beogradi zyrtar po e përdor këtë kontroll për ta penguar integrimin e pakicës serbe si dhe për ta cenuar sovranitetin e Kosovës. Beogradi zyrtar po ndërhyn drejtpërdrejt brenda Republikës së Kosovës përmes strukturave të saj shtetërore të cilat nuk po i shpërbën. Rasti më i fundit është emërimi që Serbia ua ka bërë kryetarëve të rinj të pushteteve paralele komunale", ka thënë Konjufca. Sipas tij, Serbia po e aplikon praktikën e bashkimit të strukturave të saj ilegale,bashkë me ato të cilat po zgjedhen përmes ligjeve të Kosovës.
"Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, i zgjedhur përmes ligjeve të Kosovës, bashkë me strukturat e Serbisë e vendosi barrikadën mbi urën e lumit Ibër, dhe kur u pyet nga mediat se pse po vepronte kështu, ai tha se e ka urdhëruar Beogradi të bënte kështu. Kjo tregon se përveç strukturave të paligjshme, Serbia po vazhdon t'i instrumentalizojë edhe strukturat e zgjedhura përmes ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës", ka thënë Konjufca. Më tej, ai potencoi se në pjesën veriore të Kosovës Serbia e mban gjallë edhe strukturën e armatosur "Mbrojtja Civile" dhe se këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim me vlerat bazike të Këshillit të Evropës, siç janë respektimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Konjufca në fund nënvizoi se ministri i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq me deklaratën e tij fyese kundër nënave të personave të zhdukur, ka nxitur në Kosovë një reagim të gjithmbarshëm popullor.
Në fund raportuesi për Kosovën, z. Conde, u zotua që gjatë vitit 2015 do të vizitojë Kosovën me qëllim që të sjell fakte të reja lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe integrimin e minoriteteve në Kosovë. Për vizitën e tij në Prishtinë delegacioni i Kosovës ka shprehur mikpritjen e tyre për raportuesin dhe i kanë ofruar ndihmën e nevojshme me qëllim të informimit sa më të mirë dhe të saktë për zhvillimet në Kosovë.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar takime bilaterale me përfaqësues të delegacioneve të parlamenteve të vendeve anëtare në Këshillin e Evropës, si: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës, Turqisë, Hungarisë, Bullgarisë, Suedisë, Finlandë, Lituanisë, Islandës dhe Portugalisë.
Në këto takime delegacioni i Kosovës ka kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në dhe në proceset që ndërlidhen me aplikimin në këtë organizatë.
Nesër priten të zhvillohen takime edhe me delegacionin e Armenisë dhe Italisë.