Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli takoi anëtarët e KPMShC, Znj. Novobërdali-Gola dhe Lulëzim Aliajn
E Mërkure, 28.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar takim me anëtarët e Këshillit të pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShC), Znj. Gjylinaz Novobërdali-Gola dhe Z. Lulëzim Aliaj.
Në takim, Z. Veseli, u njoh nga anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës me punën e këtij institucioni, angazhimet aktuale si dhe sfidat.
Bashkëbiseduesit diskutuan për përbërjen e Këshillit, legjislacionin e dedikuar për këtë këshill, për kompetencat në mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civilë dhe të arriturat në këtë drejtim duke u krahasuar me vendet e rajonit.
Z. Veseli falënderoi anëtarët e KPMShC për kontributin e tyre profesional, si instancë shumë e çmuar për mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civilë.
"Shërbyesit civil janë shërbyes në institucionet publike të vendit tonë si zyrtar profesional dhe punojnë në pajtim me parimet e shtetit ligjor dhe legjislacionin në fuqi, prandaj mbrojtja e të drejtave të shërbyesve civil në nivel vendi, të çdo niveli të pushtetit, i jep dimension të veçantë demokratik shtetit tonë", theksoi Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.
Kryetari Veseli deklaroi se KPMShC-së i ofron mbështetje të plotë institucionale për kryerjen e detyrave të veta ligjore, zbatimin e ligjit dhe standardeve më të larta për shërbyesit civil në vend.