Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti ambasadoren e Kanadasë, znj. Louise LaRocque
E Marte, 27.01.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot, ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, ambasadore jorezidente për Kosovën, znj. Louise LaRocque.
Takimi u fokusua në zhvillimet aktuale në vend, prioritetet legjislative për vitin 2015, çështja e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në takim, z. Veseli foli për zhvillimet në vend, ecurinë legjislative prej se është në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe prioritetet për vitin 2015. Ai po ashtu foli për unitetin e gjithë spektrit politik në Kuvend, kur bëhet fjalë për interesin shtetëror dhe rrugën e integrimit në BE.
Ambasadorja e Kanadasë, znj. Louise LaRocque, theksoi se zhvillimi ekonomik është qenësor edhe për thellimin e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë. Ajo tha se mirëqenia e qytetarëve duhet të jetë në fokusin e punës së institucioneve.
Z. Veseli, pasi foli për prioritetet e Kuvendit dhe agjendën legjislative për vitin 2015, vuri në pah rëndësinë e zhvillimit ekonomik duke shprehur falënderim për angazhimin e deritashëm të Kanadasë.
"Investitorët e mëdhenj janë të mirëseardhur në vendin tonë. Ne po punojmë që ligjet të jenë sa më të mira, që do të ofronin siguri dhe interes për investitorët nga bota. Ne besojmë se zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet afatgjatë i vendit tonë, që si synim kryesor e ka mirëqenien e qytetarëve që shpie drejt eurointegrimeve", theksoi Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Qëndrim i përbashkët nga ky takim doli se funksionimi i shtetit ligjor dhe zhvillimi ekonomik do të jenë fokus i angazhimit dhe bashkëpunimit të mëtejshëm në mes të dy vendeve.