Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 27.01.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari i komisionit, Besnik Bislimi, u diskutua lidhur me inicimin e procedurave për auditimin e subjekteve politike. Pasi u sqarua se për dy vite nuk ka pasur auditim të këtyre subjekteve, anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkojnë nga Drejtoria e Prokurimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të inicojnë këtë proces në procedurë të rregullt.

Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan Planin e Veprimit për PEFA 2014-2016, ( Vlerësimi për Financat dhe Shpenzimet Publike). U tha se në këtë raport kanë dalë rekomandime që prekin perfomancën e ekzekutivit, por një pjesë e këtij raporti merret edhe me legjislativin. Sa i përket Komisionit, bazuar në këtë dokument, është kërkuar që të trajtohen të gjitha raportet që vijnë nga auditori.

Gjatë prezantimit të raportit, përfaqësues të ZAP-it theksuan se janë theksuar të gjeturat kryesore dha janë dhënë rekomandime për institucionet përgjegjëse që ta përpilojnë një plan të veprimit se si do t'i implementojnë rekomandimet që dalin nga vlerësimi. Përfaqësues të ZAP-it sqaruan se do ta nxjerrin një plan të integruar për gjithë procesin e financave publike.

Anëtarë të Komisionit kërkuan që stafi mbështetës i Komisionit të bashkëpunojë me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm në mënyrë që të nxjerrin një dokument të përbashkët për këtë çështje.

Komisioni diskutoi edhe lidhur me inicimin e procedurave për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm, të cilit i ka skaduar mandati gjatë vitit të kaluar. Me këtë rast, ata u dakorduan që t'i drejtohen Zyrës së Sekretarit të Kuvendit të Kosovës, për sqarime shtesë rreth procedurave për Zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm.

Pikë e rendit të ditës së sotme ishte edhe shqyrtimi i kërkesës për përzgjedhjen e auditorëve të jashtëm për auditimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por kjo çështje është shtyrë për shqyrtim në mbledhjen e radhës.