Lajmet e fundit
Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media pritën në një takim KPM-ën
E Marte, 27.01.2015
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar, priti sot në një takim anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media, i kryesuar nga Adnan Merovci, kryetar. Me këtë rast z.Adnan Merovci njoftoi të pranishmit me fushëveprimtarinë dhe sfidat e Komisionit të Pavarur për Media. Ai në mënyrë shumë të gjerë e shkoqitëse bëri fjalë për punën e Komisionit, duke u përqendruar sidomos në strategjinë e këtij Komisioni në fushën e digjitalizimit, zingjirin e transmetimit digjital, si dhe mbulueshmërinë nga ky sistem.
Në takim u bë fjalë edhe për Projektligjin për digjitalizim, mbi bazën e të cilit do të sendërtohet kjo strategji, e cila tashmë është në diskutim. Me këtë rast u shtruan edhe shumë pyetje nga ana e deputetëve rreth strategjisë së digjitalizimit dhe industrisë mediale, në të cilat u përgjigjën Adnan Merovci dhe anëtarët tjerë të Komisionit të Pavarur për Media. Anëtarët e Komisionit u njoftuan edhe me aktivitetet e KPM-ës dhe bashkëpunimin e këtij Komisioni me institucione ndërkombëtare dhe ekspertë të njohur nga bota. Në takim u shpreh interesim i dyanshëm për të bashkëpunuar sa më mirë, posa të hyjë në procedurë në Kuvend, Projektligji për digjitalizim.