Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Hënë, 26.01.2015
Debati parlamentar lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës ishte temë e vazhdimit të mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të 23 janarit, të kryesuar nga Kadri Veseli, (një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti). Duke marrë fjalën në emër të propozuesit të këtij debati dhe të nënshkruesve tjerë të kësaj kërkese, Donika Kadaj Bujupi në fillim theksoi se sipas shënimeve statistikore, gjatë vitit 2014, kanë marrë udhën e migrimit jashtë vendit tonë 30 mijë qytetarë të Kosovës. Ky largim rrezikon jetën e qytetarëve. Migrimi nuk është çështje vetëm e policisë dhe nuk mund të zgjidhet me masa policore. Duke i bërë një vështrim shkaqeve që po ndikojnë në migrim ajo përmendi mungesën e perspektivës, të arsimimit,nivelit të ulët të shërbimeve shëndetësore, mungesës së subvencionimeve etj. Pritjet e atyre që ia mësynë migrimit u venitën nga viti në vit, në vend të mbjelljes së shpresës. Znj. Bujupi në vijim foli edhe për pasoja e rënda, që po përjetojnë ata që po marrin rrugën e rëndë të mërgimit. Ajo tha se nuk mund të pritet nga Serbia, nëpërmjet të së cilës po ikin qytetarët tanë, se do të ndërmarrë masa për pengimin e këtij procesi, sepse ajo që nga viti 1844 ka qenë e interesuar që të ndodhë ky proces. Ndër shkaqet që kontribuojnë për pengimin e shpërnguljes z. Bujupi përmendi zhvillimin jo të duhur ekonomik, moslirimin nga taksat dhe TVSH-ja , si dhe mos krijimi i lehtësive doganore, i dhënies së subvencioneve në bujqësi etj.
Në emër të GP të PDK-ës, deputetëve në vijim iu drejtua Blerta Deliu-Kodra, e cila theksoi se është i mirëpritur ky debat. Duke e shkoqitur këtë problem, ajo theksoi si atë e shkaktojnë kushtet e rënda shoqëroro-ekonomike, zhvillimi jo i duhur ekonomik,ndërsa si mundësi për pengimin e këtij procesi përmendi hapjen e vendeve të reja të punës, liberalizimin e vizave , si dhe krijimin e kushteve që të rinjtë e Kosovës të mos jenë të getoizuar. Ndër shkaqet që ndikoi në shtimin e numrit të azilantëve ishin disa informata se disa shtete do të ofrojnë azil, por në këtë ndikoi edhe ngërçi politik.
Teuta Sahatqija, ne emër të GP të LDK-ës në fillim theksoi se migrimi i popullsisë nuk ka kursyer asnjë komunitet të vendit,ndaj duhet të gjenden rrugët për pengimin e këtij fenomeni gjithnjë në rritje. Duke folur për pësimet e atyre që marrin rrugën e kurbetit, ajo tha se migruesit po paguajnë 30 euro për shkuarje, ndërkaq për kthim po detyrohen të paguajnë nga 500 euro. Ata po mbesin kampeve, madje ndodhi edhe një rast vdekjeje. Njerëzit edhe po kthehen, por po vijnë tash edhe më të varfër. Gjithë kjo shtron nevojën që migrimi të trajtohet në mënyrë të posaçme.
Aida Dërguti, në emër të GP të VV duke folur për papunësinë e madhe tha se gati gjysma e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri. Ndërkaq, duke folur për procesin e privatizimit theksoi se Kosova në këtë proces humbi 70 mijë vende punë. Ekziston frika, tha ajo, se fat të këtillë të keq do të ketë edhe "Trepça" dhe Elektroekonomia e Kosovës. Ajo në vijim shtroi kërkesën që Qeveria e Kosovës deri në mars duhet të raportojë para Kuvendit për problemin e migrimit të popullsisë.
Në emër të GP të AAK-ës, foli Ramush Haradinaj, i cili kërkoi një trajtim më të themeltë të procesit të migrimit, duke shtruar pyetjen se athua ka humbje më të madhe se sa humbja e njerëzve-shkuarja e tyre. Ai tha se Qeveria e kaluar i ka ndarë njerëzit në ata të pushtetit dhe në ata të tjerë. Në këtë gjendje duhet të ndihemi të gjithë përgjegjës,në radhë të parë Qeveria, pa përjashtuar edhe opozitën.
Valdete Bajrami nga GP Nisma duke folur për përmasat që kanë marrë proceset migruese, theksoi se ky proces po vazhdon si në kohë të Millosheviqit, pra po zbrazet vendi. Në vijim ajo shtroi pyetjen a duhet të ndodhë edhe njëherë Tisa. Ndërkaq, si një faktor që po ndikon në migrim, ajo përmendi keqqeverisjen.
Duke folur në emër të GP 6+, Danush Ademi tha se migrimi po prek zemrën e secilit qytetar. Ai në diskutimin e tij u përqendrua sidomos në numrin madh e të qytetarëve nga komuniteti ashkalinj, të cilët po e braktisin Kosovën. Në procesin e migrimit nuk po ndikon siguria , sepse ajo është e njëjtë për të gjithë, por në migrim po ndikon zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik. Ai zuri në gojë shifrën perj 800 familjesh që kanë migruar nga ky komunitet, ndaj kërkoi që të krijohen kushte për të ndërprerë këtë dukuri.
Pas fjalëve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare,në debat morën pjesë edhe një numër i madh i deputetëve tjerë, si: Vjosa Osmani, Zenun Pajaziti, Qerim Bajrami,Margarita Kadriu,Emilija Rexhepi,Armend Zemaj,Blerim Shala,Shaip Muja,Besim Beqaj, Bali Muharremaj,Fikrim Damka, Bekim Haxhiu,Njomza Emini, Salih Salihu, Teuta Haxhiu, Haxhi Shala, Kujtim Paçak, Ramiz Kelmendi,Fisnik Ismajli,Puhie Demaku,Time Kadrijaj,Gëzim Kelmendi,Xhevahire Izmaku, Shpejtim Bulliqi, Shqipe Pantina, Melihate Tërmkolli, Mexhide Mjaku-Topalli,Nuredin Ibishi, Mytaher Haskuka, Hajdar Beqaj,Veton Berisha,Rrustem Berisha,Etem Arifi dhe Hatim Baxhaku.
Ata kërkuan mobilizim të qytetarëve, shoqërisë civile dhe resorëve të Qeverisë së Kosovës që me një mobilizim të shtuar të angazhohen për të parandaluar procesin e rëndë të migrimit, duke krijuar kushte shoqërore e ekonomike, të cilat do të mundësonin që qytetarët të mos mësyjnë rrugën e mërgimit. Në shënjestër të deputetëve, viheshin sidomos nevoja për luftë kundër keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar,nepotizmit,taksave të larta, arsimimit jocilësor, duke ofruar alternativa për zgjidhje të problemeve të nduarnduarta. Evitimi i këtyre dukurive negative do të ishin parakushte të rëndësishme për krijimin besimit për një të ardhme më të ndritur, e cila do të zbuste etjen për të braktisur vendin ëmë. Nga ana e deputetëve u vu në pah se në këtë debat do të duhej të prezantoheshin edhe informata të sakta për numrin e të migruarve.
Në përfundim të debatit, fjalën e mori nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili tha se meqë teksti i Projektrezolutës ka pësuar ndryshime dhe nuk është nënshkruar nga grupe të tjera parlamentare , pos AAK-ës, atëherë ky tekst duhet të procedohet nëpërmjet Administratës së Kuvendit.
Propozuesi u pajtua me këtë propozim.