Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi udhëheqësit e katër agjencive të pavarura
E Hënë, 26.01.2015
Në kuadër të takimeve me agjencitë e pavarura, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në takime të veçanta ka takuar Mbikëqyrësin kryesor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ruzhdi Jashari me bashkëpunëtorë, drejtorin e Këshillit të Pavarur për Medie, Adnan Merovci, drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Pretenin, si dhe Ramiz Krasniqin nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Në takim, z. Veseli u njoh me veprimtarinë e këtyre agjencive, projektet në vijim dhe synimet zhvillimore të tyre. Në veçanti, u diskutuan roli, mandati dhe përgjegjësitë e secilës agjenci: Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Këshillit të Pavarur për Medie, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Kryetari i Kuvendit, z. Veseli, vuri në pah rëndësinë e respektimit të mandatit të këtyre agjencive, pavarësisë së tyre dhe ushtrimin e mandatit të plotë, në pajtim me ligjin, duke iu ofruar mbështetje të plotë institucionale, që me sukses të realizojnë detyrat dhe përgjegjësitë e parapara me ligj.