Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Hënë, 26.01.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Memli Krasniqi, ka njoftuar për planin dhe prioritetet e ministrisë për vitin 2015.
Ministri Krasniqi me këtë rast, njoftoi komisionin për agjendën legjislative, ndërsa me theks të veçantë foli për investimet, të cilat ministria ka paraparë të realizojë gjatë këtij viti.
Duke folur për projektligjet, të cilat ministria pritet t'i procedojë së shpejti në Kuvend, ministri vuri në spikamë Projektligjin për ushqimin dhe atë të pyjeve, ndërsa paralajmërojë edhe procedimin e tri projektligjeve të tjera.
Për sa i përket buxhetit për këtë vit, Ministri Krasniqi tha se ai është rritur në masë të konsiderueshme nga ai i vitit të kaluar, ndonëse për një zhvillim të mirëfilltë të bujqësisë, ndjehet nevojë për një buxhet edhe më të madh, u shpreh ai.
Në vijim, ai tha se buxheti i paraparë për subvencione gjatë këtij viti përfshinë 90% të buxhetit të ministrisë. Shprehur në shifra, deklaroi ai, kjo shumë arrin në 54 milion euro, nga të cilat do të paguhen edhe subvencionet nga viti i kaluar (15 milion euro). Shuma e mbetur prej 39 milion euro, sqaroi ministri Krasniqi, do të përdoret për subvencionimin e mbjelljes së kulturave bujqësore, përfshirë këtu edhe subvencionimin në blegtori, rritjes së gjedhëve, deleve dhe dhive. Ministri foli edhe për mbështetjen që do vie nga Banka Botërore, USAID-i dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Në fund të fjalës së tij, ministri Krasniqi u shpreh i bindur për një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të ministrisë dhe komisionit, ndërsa vuri në pah rëndësinë e regjistrimit të bujqësisë, i realizuar në vitin e kaluar. Lidhur me këtë, ai u shpreh i bindur se regjistrimi i bujqësisë, do të ndikojë në hartimin e një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e bujqësisë. Po ashtu, ministri njoftoi se Raporti Preliminar i regjistrimit të bujqësisë do të publikohet më 28 shkurt.
Kryetari i komisionit, Fikrim Damka, pasi falënderoi ministrin për njoftimin, u shpreh se komisioni mbetet i përkushtuar në mbështetje të ministrisë. Anëtarët e komisionit ndërkaq, shprehën bindjen se efektet e subvencioneve do të jenë edhe më të mëdha, nëse bazohen në një strategji të mirëfilltë për zhvillimin e bujqësisë.