Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 26.01.2015
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, shqyrtoi një varg kërkesash dhe rekomandimesh, që lidhen me aspekte të ndryshme të punës dhe agjendës së Kuvendit.
Pasi u njoftua me procedimin në Kuvend nga ana e Qeverinë të Programit Legjislativ për vitin 2015, Kryesia vendosi të ngarkohen komisionet parlamentare që mbi bazën e këtij programi dhe të propozimeve të veta, deri më 2 shkurt 2015 t'i hartojnë planet e punës periodike dhe programin e punës së komisioneve për vitin 2015. Drejtoria e Përgjithshme për Çështje Ligjore dhe Procedurale, ndërkaq, u ngarkua që në bazë Programit legjislativ të Qeverisë së Kosovës dhe planeve të punës së komisioneve parlamentare, ta hartojë Propozim-Programin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2015, deri më 5 shkurt 2015, i cili me propozim të Kryesisë së Kuvendit do t'i procedohet seancës plenare për miratim.
Nisma qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, u dërgua në qeveri për mendim dhe për hartimin e Deklaratës për implikime buxhetore, si dhe asaj për përafrim dhe harmonizim me legjislacion e bashkimit evropian, ndërsa peticioni i qytetarëve të Komunës së Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, u procedua për shqyrtim në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Në vazhdim, Kryesia ngarkoi Administratën e Kuvendit që në bazë të dispozitave të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, ta shpall konkursin për tre anëtarë të këtij Këshilli, ndërsa Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, në konsultim me ministrinë përkatëse, të shqyrtojë çështjen e Këshillit për Trashëgimi Kulturore dhe Kryesisë së Kuvendit t'ia paraqesë propozimin.
Sa i përket njoftimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me funksionimin e kësaj agjencie, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri u ngarkua ta shqyrtojë këtë shkresë dhe Kryesisë së Kuvendit t'ia paraqesë raportin me rekomandime.
Kryesia u njoftua edhe me vendimin e deputetëve Etem Arifi dhe Veton Berisha për t`iu bashkuar Grupit Parlamentar të LDK-së, si dhe atë të deputetit Shaip Muja, për tërheqje nga Grupi Parlamentar PDK- PD-LB-PSHDK dhe PKK.
Në këtë mbledhje Kryesia diskutoi edhe për propozimet për formimin e grupeve të miqësisë me parlamente të shteteve të tjera, si dhe miratoi disa kërkesa për vizita jashtë vendit.