Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Veseli takoi ambasadoren gjermane, Angelika Viets

E Hënë, 26.01.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot, ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, zonjën Angelika Viets.
Takimi u fokusua në zhvillimet në Kuvend, agjendën legjislative 2015, marrëdhëniet fqinjësore, dialogun Kosovë-Serbi, situatën aktuale në Kosovë, si dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në takim, z. Veseli theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën, e cila asnjëherë nuk ka munguar. Kjo mbështetje në veçanti ka të bëjë me proceset integruese të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Ambasadorja Viets theksoi se mbështetja e Gjermanisë për Kosovën nuk do të mungojë as në të ardhmen dhe se mirëqenia ekonomike duhet të jetë prioritet i institucioneve të vendit.
"Mirëpresim përkushtimin institucional për përmirësimin e gjendjes ekonomike, që të krijohet mundësi për të rinjtë të gjejnë perspektivën e vet këtu, duke kthyer shpresën se do të përmirësohet jeta e tyre. Mu për këtë mendoj se duhet një komunikim i gjithanshëm pozitiv", theksoi Ambasadorja Viets.
Ndërsa z. Veseli bëri të ditur prioritetet e tij në krye të Kuvendit, duke theksuar përkushtimin për agjendën legjislative dhe kërkesat e qytetarëve.
"Qytetarët e vendit tonë duan mundësi dhe perspektiva të reja për zhvillim, andaj kërkesat e tyre janë të ligjshme. Ne kemi marrë përgjegjësi që t'i adresojmë shqetësimet e qytetarëve duke u ballafaquar me sfidat e zhvillimit, integrimet dhe rritjen e mirëqenies ekonomike. Besojmë se do të kemi sukses në këtë drejtim", theksoi Kryetari Veseli.
Ishte qëndrim i përbashkët se zbatimi i përvojave ekonomike gjermane në Kosovë, mbështetja e legjislativit për pakon e ligjeve për investimet, si dhe lehtësimi i procesit të integrimeve për Kosovën, do të ishin disa nga pikat prioritare të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.