Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Premte, 23.01.2015
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, (një pjesë e mbledhjes u kryesua nga nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga zhvillimet aktuale nga jeta shoqërore,politike, shëndetësore, ekonomike e arsimore në vend. Ndërkaq, në vijim të mbledhjes në pyetjet e deputetëve u përgjigjën: kryeministri Isa Mustafa, si dhe ministrat:Imet Rrahmani, Arban Abrashi dhe Lutfi Zharku.
Pas shterimit të këtyre dy pikave Kuvendi filloi shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit. Për përmbajtjen dhe qëllimet e Projektligjit deputetët i njoftoi ministri Arban Abrashi, i cili theksoi se me qëllim të mbrojtjes dhe të interesave shtetërore dhe të sigurisë kombëtare, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka marrë iniciativë për hartimin e këtij Projektligji. Në praktikën e deritashme është vërejtur një trend i ri i disa individëve, të cilët po bashkëngjiten në formë të organizuar, apo të pavarur në kryengritje , apo konflikte jashtë vendit për shuma parash, apo privilegje të tjera. Të njëjtit persona kthehen në vend, duke u bërë bartës të aktiviteteve propagandistike, që kanë për qëllim pjesëmarrjen e personave në veprime të këtilla kriminale terroriste. Duke pasur parasysh të gjitha këto është imediate që të aprovohet ky Projektligj nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në vijim fjalën e mori Daut Haradinaj, i cili në emër të komisionit funksional- Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, theksoi se Projektligji i plotëson kushtet për shqyrtim dhe miratim. Ai Projektligjin e përkrahu edhe në emër të GP të AAK-ës. Edhe Fadil Demaku, në emër të GP të PDK-ës, theksoi se ky grup parlamentar përkrah këtë Projektligj. Në parim Projektligjin e përkrahu edhe deputeti Nuredin Ibishi, në emër të GP të LDK-ës. Faton Topalli në emër të GP të Vetëvendosjes theksoi se është kundër shkuarjes së çdo personi për të marrë pjesë në aktivitete terroriste, gjithkund ku vepron terrorizmi, ndaj duhet të merren masa adekuate. Topalli në vijim përmendi se Zvicra ka një Ligj shumë të mirë nga ky lëmë. Mirëpo, ai shfaqi mendimin se Projektligji është shumë i gjeneralizuar, ndaj propozoi që ai të kthehet në ripunim dhe të bëhet një Projektligj i ri.
Zafir Berisha nga GP Nisma, theksoi se e përkrah Projektligjin, duke theksuar se ai është shumë i nevojshëm, por është shumë i përgjithësuar. Përkrahje këtij Projektligji i dha edhe Danush Ademi, në emër të GP 6+.
Në diskutimin e tij zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, theksoi se miratimi i këtij Projektligji është me rëndësi vitale, për politikën e vendit tonë dhe proceset integruese evro-atlantike. Ai tha se brengos fakti që është numër i madh i personave që janë përfshirë në veprime terroriste, krahasuar me numrin e popullsisë së vendit tonë. Personat e këtillë i shkaktojnë vendit tonë një barrë të rëndë dhe ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës në botë. Projektligji është model. Kosova është lidere kundër terrorizmit dhe radikalizmit, tha z. Thaçi.
Në përmbyllje të debatit, Skënder Hyseni, ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, theksoi se Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit është hartuar në mbështetje të Rezolutës së OKB-ës, ndërsa Kosova është vendosur në hartën e arkitekturës, përkatësisht në hartën globale të luftës kundër rrezikut ekstremist të dhunshëm. Projektligji është shumë i qartë, ndërsa bën fjalë për individ dhe jo për institucione shtetërore. Në vijim ai siguroi se Kosova kurrë nuk do të jetë burim ose strehë e terroristëve.
Në debatin e gjerë shumica e diskutuesve i dhanë përkrahje këtij Projektligji. Vlerësohej se ai duhet të aprovohet sa më shpejt, duke ditur se pjesëmarrja në aktivitete terroriste sjell pasoja të rënda për qytetarët tanë.
Në përfundim të debatit, deputetët me shumicë votash miratuan në parim Projektligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
Në vijim të mbledhjes u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht. Prezantimin e këtij Projektligji para deputetëve e bëri , ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, i cili theksoi se këtë Projektligj e ka hartuar Ministria e Drejtësisë. Ndërkaq, në emër të Komisionit funksional-Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Projektligjin e prezantoi Albulena Haxhiu, e cila theksoi se problem kryesor është buxheti për zbatimin e këtij ligji, pasi nuk është bërë ndarja e buxhetit që është i nevojshëm me rastin e zbatimit të tij. Ajo tha se Komisioni rekomandon që Projektligji të miratohet në parim. Selvije Halimi në emër të GP të PDK-ës përkrahu këtë projektligj, ndërsa Armenda Zemaj nga GP i LDK-ës kishte vërejtje sa i përket çështjes së financimit të këtij Projektligji, problematike i shihte edhe standardet e të drejtave të njeriut, pastaj specifikat e telekomunikimit dhe koston e zbatimit të ligjit. Në vijim Projektligjin e përkrahën në parim Albulena Haxhiu (VV),Donika Kadaj Bujupi (AAK), Valdete Bajrami(Nisma) dhe Qerim Bajrami (6+). Me shumicë votash deputetët e miratuan në parim këtë Projektligj.
Edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik,para deputetëve e prezantoi ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi,ndërsa në emër të Komisionit për Legjislacion , Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, duke rekomanduar në emër të Komisionit që ky Projektligj të miratohet në parim. Në emër të GP të PDK Projektligjin e përkrahu Agim Aliu,ndërkaq, duke folur në emër të GP të VV-ës dhe të GP të AAK-ës gjithashtu e përkrahën këtë Projektligj , Albulena Haxhiu dhe Time Kadrijaj,por ato bënë vërejtje se pse lejohet që zyrtarë të kenë më shumë se nga një marrëdhënie pune, pra nga dy e deri në pesë marrëdhënie punë njëkohësisht. Projektligjin e përkrahën edhe Valdete Bajrami nga GP Nisma dhe Qerim Bajrami nga 6+. Pas debatit, mori fjalën ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, i cili theksoi se me këtë Projektligj bëhen ndryshime substanciale nga ai i deritashmi, pasi konflikti i interesit kualifikohet si vepër penale. Në përfundim të debatit Kuvendi miratoi këtë Projektligj.
Kuvendi pastaj në rend dite kishte shqyrtimin e parë të Projektligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike, arsyetimin e të cilit para deputetëve e bëri Bekim Çollaku, ministër i Ministrisë së Integrimit Evropian,i cili theksoi se bazë për hartimin e këtij Projektligji ishin ligjet e disa shteteve evropiane. Duke folur në emër të Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, theksoi se në këtë Komision kishte vërejtje sa i përket përmbajtjes së këtij Projektligji, sidomos kur është fjala për të drejtën e privatësisë, e cila mund të cenohet, ndaj Komisioni për Integrime Evropiane kishte propozuar që të mos miratohet Projektligji. Tërheqje nga procedura të Projektligjit e kërkuan edhe përfaqeësuesit e grupeve të tjera parlamentare, ndaj Kuvendi vendosi që të mos miratohet në parim ky Projektligj.
Pika e rendit te ditës- debat parlamentar lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës u shty për të hënën.