Lajmet e fundit

Brovina takoi ambasadoren turke, Ozan

E Premte, 23.01.2015




Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka pritur sot në takim ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi, në funksion të avancimit të shëndetësisë së Kosovës, sipas përvojave të mjekësisë turke.
Kryetarja e komisionit, Brovina, e falënderoi ambasadoren Ozan për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer që Turqia i ka ofruar sektorit shëndetësor në Kosovë, si në aspektin e investimeve, ashtu edhe nëpërmjet hapjes së dyerve nga ana e Turqisë për mjekët, studentët dhe pacientët nga Kosova. Ajo e njoftoi diplomaten turke edhe me gjendjen në shëndetësinë e Kosovë, si dhe me planet e komisionit që ajo udhëheq, për të kontribuuar në zgjidhjen e problemeve me tw cilat përballet ky sektor. Brovina foli edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore, i cili pritet të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti, të cilin e konsideroi mjaft të rëndësishëm për sektorin shëndetësor dhe qytetarët e vendit. Ajo kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Turqisë në këtë fushë dhe në sektorë të tjerë, duke e vlerësuar të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
Ambasadorja Ozan, ndërkaq, bëri një elaborim të të arriturave të mjekësisë turke, duke e konsideruar atë një model të mundshëm për avancimin e shëndetësisë në Kosovë. Duke ofruar mbështetjen e komisionit homolog të parlamentit turk për Komisionin për Shëndetësisë, Punë dhe Mirëqenie të Kuvendit të Kosovës, Ozan theksoi gatishmërinë turke për zgjeruar më tej investimet shëndetësore në Kosovë, si dhe me interesimin për të vazhduar me ofrimin e përvojës mjekësore turke për mjekët e Kosovës, nëpërmjet formave të ndryshme.