Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Premte, 23.01.2015
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, raportoi sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, lidhur me angazhimet e ministrisë që ai udhëheq, për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet kategoritë shoqërore që mbulon ky dikaster.
Kryetarja e komisionit, Flora Brovina, e cila udhëhoqi takimin, theksoi nevojën e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet komisionit dhe ministrisë, në funksion të hartimit të një legjislacioni sa më të përshtatshëm për qytetarët, si dhe të zgjidhjes së një varg problemeve me të cilat përballet ky sektor dhe që prekin drejtpërdrejt njerëzit, të cilët janë të varur nga buxheti i kësaj ministrie, si: pensionistët, veteranët, përfituesit e ndihmave sociale, qytetarët me nevoja të veçanta etj.
Ministri Abrashi, ndërkaq, pasi shprehu gatishmërinë për të qenë në shërbim të komisionit, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë, si në adresimin e sfidave, ashtu edhe trajtimin e kategorive përkatëse shoqërore.
Ministri i Punës e Mirëqenies Sociale foli edhe për angazhimet e tij për t'u ofruar strehim të gjitha atyre familjeve të cilët nuk kanë kulm mbi kokë.
Një theks të veçantë, ministri Abrashi i kushtoi punësimit, duke e identifikuar atë si prioritet të angazhimeve të tij në të ardhmen. Ai tha se ka hapësirë që të punohet më tepër në këtë drejtim, ndërsa konfirmoi se së shpejti do të bëhet themelimi i Agjensionit të Punësimit, si një mekanizëm i cili do të luaj rol thelbësor në këtë drejtim. Sa i përket qendrave për aftësim profesional, ministri e konsideroi të domosdoshëm fuqizimin e tyre, në funksion të stimulimit të punësimit, nëpërmjet trajnimeve dhe këshillimeve për karrierë, duke iu përgjigjur kështu nevojave dhe kërkesave të tregut.
Duke u përgjigjur ne pyetjen lidhur me zbatimin e Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, ministri Abrashi tha se ministria që ai udhëheq është e gatshme dhe se është në pritje të listave nga komisioni përkatës qeveritar.
Në vazhdim, anëtarët e komisionit trajtuan edhe probleme të tjera me të cilat përballet ky sektor, ndërsa shtruan edhe disa pyetje në adresë të ministrit.