Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Premte, 23.01.2015
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, të kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, në mbledhjen e sotme diskutoi lidhur me propozimet për emërimin e anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. I ftuar në këtë takim ishte edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, për të dhënë sqarime para anëtarëve të komisionit lidhur me mandatin e anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Fillimisht nga kryetarja e Komisionit u sqarua se KGJK-ja që nga muaji gusht i vitit të kaluar është jofunksional për faktin se disa nga anëtarë të këtij këshilli e kanë përfunduar mandatin.
Haxhiu duke bërë një përshkrim të gjendjes aktuale në KGJK tha se përgjegjësi e Komisionit është që të përzgjedhë edhe 5 anëtarë të tjerë, në disa nga mbledhjet e ardhshme të komisionit, prej tyre 3 shqiptarë, një serb dhe një nga komunitetet tjera.
Gjatë këtij takimi u sqarua se është përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit që të përzgjedhë anëtarë të KGJK-së. Megjithatë, u tha se pavarësisht nga përgjegjësia kushtetuese, KGJK-ja i ka propozuar 114 emra. Albulena Haxhiu, sqaroi se në mesin e këtyre emrave ka gjyqtarë që nuk kanë përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, e disa anëtarë, theksoi ajo, janë nën hetime.
Anëtarë të Komisionit, kërkuan sqarime të shumta lidhur me këtë çështje nga kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci.
Mes tjerash Peci tha se është e domosdoshme që Kuvendi sa më shpejt të emërojë të paktën një anëtar në këtë institucion, në mënyrë që KGJK-ja të jetë funksional dhe të dilet nga ngërçi.
"KGJK-ja nuk ndikon në Kuvend për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve. Ne jemi të interesuar që të vijnë njerëz profesional në KGJK", tha mes tjerash Peci.
Pas një debati të gjerë nga anëtarë të Komisionit, u tha se Komisioni duhet ta bëjë një rregullore për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve, ndërsa kërkuan nga KGJK-ja që ta sjellin një raport me shkrim lidhur me çështjet që u ngritën nga anëtarë të komisionit.